Me anë të një postimi në facebook, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka treguar për vizitat e bëra sot më 28 Nëntor, siç e ka quajtur ai në ditën më të lumtur për shqiptarët.
Në këtë ditë, Haradinaj ka treguar se ka vizituar varrin e heroit kombëtar, Isa Boletini, për të marrë më pas pjesë në zbulimin e shtatores së Adem Jasharit dhe Hasan Prishtinës, në Suharekë dhe për ta përmbyllur me vizitën në Lezhë, në familjen Iballa, transmeton Fol Drejt.
“Ditën më të lumtur për shqiptarët e nisa në Boletin, te varri i heroit kombëtar Isa Boletini, njëherësh personazh kulmor nga Kosova në shpalljen e Pavarësisë tash e njëqind e dhjetë vjet më parë.
Në ditëlindjen e tij, sot mora pjesë në zbulimin e shtatores së Komandantit legjendar Adem Jashari, i cili së bashku me Heroin kombëtar Hasan Prishtina, u përjetësuan në bronz në fshatin Mushtisht të Suharekës. Aty, mes shumë miqve e bashkëluftëtarëve, takova bacin Rifat Jashari, ish presidentin Alfred Mojsiu, kryetarin e komunës Bali Muharremaj e kolegë të tjerë.”, ka shkruar Haradinaj në facebook.
“Në Lezhë isha për të ndarë dhembjen me kushërinjtë e mi nga Iballa, për të përmbyllur më pas këtë ditë të mrekullueshme dhe shumë të rëndësishme të historisë sonë në Tiranë, në pritjen e organizuar nga Presidenti Bajram Begaj.
I përulur gjithmonë para sakrificës së brezave, Dëshmorëve dhe Martirëve të Lirisë, nga zemra uroj secilin që ndjehet shqiptar, kudo që jeton.
Gëzuar”, ka shtuar tutje./FolDrejt/