Në lidhje me situatën e krijuar në raport me Serbinë dhe ndërkombëtarët rreth targave, ka reaguar edh eish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e ka konsideruar kryeministrin Kurti si fajtorin kryesor për dëmtimin e imazhit të Kosovës.
“Sjellja dhe veprimet e Kryeministrit të Kosovës, në raport me situatën e krijuar në vend, gjatë gjithë këtyre ditëve, ka qenë jo vetëm e pakuptueshme por edhe e rrezikshme.
Mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, e ka sjellë situatën buzë shpërthimit.
Kemi ardhë në një situatë që do të mund të rrezikonim jetët e qytetarëve të Kosovës por edhe të policëve.”, ka shkruar Haradinaj në facebook.
Ai ka shprehur shqetësimin për transformimin e Kosovës nga viktima në fajtore për situatën e krijuar, teksa Serbia është shndërrar në partner konstruktiv.
“Fajtori i vetëm për këtë gjendje të krijuar e ka vetëm një emër, e ai është Albin Kurti.
Kurti arriti t’i dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës edhe me SHBA edhe me evropianët;
Kurti arriti ta heqë nga tavolina draftin dhe përpjekjen për të arritur marrëveshje përfundimtare për njohje me Serbinë;
Kurti arriti të vendosë populizmin dhe egoizmin e tij mbi interesat e shtetit të Kosovës;
Kurti arriti ta nxjerrë veriun nga kontrolli i Kosovës;
Kurti arriti ta kthejë shtetin e Kosovës në shtetin e një individi që vet vendosë dhe vet vulosë;
Kurti arriti të rikthejë tensionet për të cilat askush nuk mund ta parashikojë fundin;
Kurti arriti ta çojë Kosovën në prag të ndarjes së veriut nga pjesa tjetër e shtetit;”, ka shtuar tutje Haradinaj.
“Dhe në fund, Kurti arriti të dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës demokratike, multietnike, të përgjegjshme dhe që merr vendime të bashkërenduara me partnerët ndërkombëtarë duke e kthyer nga kontribues të stabilitetit në rajon, në element destabilizues.
Gjendja është kjo që është. Albin Kurti sot e ka vëtëm një rrugë, që është bashkëpunimi i ngushtë e pa kushte me partnerët tanë, posaçërisht me SHBA. Dhe këtë duhet ta bëjë jo për vete dhe qeverinë e tij, por për vendin, siguria e të cilit sot është më e rrezikuar se asnjëherë më parë.”, ka përfunduar ai./FolDrejt/