Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në pjesën veriore të Kosovës, ku tre zyrtarë policorë u arrestuan nga forcat serbe.
Në një konferencë për media pas mbledhje se jashtëzakonshme të partisë që udhëheq, Haradinaj ka hedhur dyshime nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është spiun i Serbisë.
“Kurti intensivisht me çdo veprim të vetin po e prish këtë aleancë, pra ky ose është spiun i Serbisë ose është ai që me zor do me mbetë në pushtet sa me fshehë qeverinë e tij humbëse të zhytur në korrupsion e nepotizëm, e po e kërkon shpëtimin në kriminelë, duke i arrestuar ata e duke na shitur këtë si fitore të Kosovës”, tha Haradinaj.
“Lusim bashkësinë ndërkombëtare që të ushtrojë preson mbi Serbinë për lirimin e tyre, kthimin e tyre në familje, dhe që aktet te tilla të mos përsëriten më kurrë. E ftojmë ministrin Sveçla të pranojë dorëheqjen sepse sot është përdhosur uniforma e institucionit të Policisë së Kosovës”.
“Ne mendojmë që Kurti po shkon në drejtim të kundërt, ai s’po e udhëheqë Kosovën drejt stabilitetit. E ka sjellë Kosovën në palë të dështuar. Pra aleatët tanë, përkrahësit tanë të sigurisë kanë filluar ndëshkime për ne që do të rezultojë në dobësimin tonë të brendshëm dhe të jashtëm”, vlerësoi Haradinaj.
Tutje, Haradinaj ka thënë se është momenti për ta ndalur Kurtin, që të mos lejohet rrezikimi i marrëdhenieve me aleatët tanë të sigurisë./FolDrejt/