Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka shtruar një varg pyetjesh kryeministrit Albin Kurti, duke pyetur për siç tha ai, dështimet në disa fusha.
“Pse po dështon ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike në vend? Pse ka dështuar Kosova C, Kosova e Re, remonti i termocentraleve i paraparë të kryhej gjatë verës?”, shkroi Haradinaj në një postim në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
“Pse janë paguar dhjetëra milionë për blerjen e rrymës me çmime astronomike gjatë dimrit? Pse paguhen dhjetëra milionë të tjerë për rrymën e vjedhur në veri? Pse është refuzuar gazi amerikan? Pse e ke refuzuar komisionin hetimor për blerjen e energjisë?“, vazhdoi deputeti.
Tutje Haradinaj po ashtu i bëri pyetje Kurtit, për raportimet se ambasadori kosovar në Slloveni, Martin Berishaj, është i përfshirë në një skandal të madh financiar.
“Pse njeriu yt po përflitet të jetë pjesë e skandalit financiar të një kompanie mafioze energjetike?”, pyeti Haradinaj.
“Fol Kryeministër. Shpjegoja popullit ku je ti në këtë histori?”, përfundoi kreu i AAK-së.