Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas zhvillimeve lidhur me sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, duke kërkuar mocion për shkarkimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit.
“Të dashur qytetarë të Kosovës,
I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit.
Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë.”, është shprehur Haradinaj.
“Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie.
Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi.
Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!”, ka shtuar i pari i AAK-së më tej./FolDrejt/