Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar sot kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn, pas çështjes së librave shkollorë, përcjell Fol Drejt.
Në fjalën e tij për gazetarët pas këtij takimit, Haradinaj ka kritikuar kryeministrin aktual të vendit, Albin Kurtin dhe ministren e MASHT-it, Arbërie Nagavcin, lidhur me këtë çështje, duke thënë se së paku duhet t’i kërkojnë falje Kosovës.
“Takimet me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit nuk kanë qenë gjithmonë të lehta e të mira. Kujtoj takime që jemi përplasur në zyrën e Qeverisë, mirëpo edhe pas atyre përplasjeve e kemi respektuar njëri-tjetrin në përputhje me misionin qe kemi. Si rezultat i presionit të tyre direkt sot i gëzojmë disa të arritura. U fol për stazhin e mësimdhënësve në periudhën 91’-99’. Poashtu edhe tema të tjera”, u shpreh Haradinaj pas takimit.
“Nuk e kuptoj pafytyrësinë e Kurtit e të ministres, të paktën një kërkimfalje Kosovës. Kosova i paguan ata që diku në pranverë ta kryejnë çështjen e teksteve në vjeshtë, ndërsa ata njerëz të paskrupullt e pa asnjë keqardhje dalin dhe i tallin të gjithë. I bëj thirrje Kurtit e kabinetit të tij që të mos e tallë Kosovën, një kërkimfalje duhet të ndodhë me këtë gjendje të krijuar. Nëse nuk duan ta sanksionojnë vetën, të paktën t’i shërojnë zemrat e atyre që i kanë lënduar, me një kërkimfalje”.
“Është e pabesueshme që Nagavci e Kurti nuk e kanë ditur që do të vijmë në një javë para fillimit të vitit shkollor e nuk i kanë siguruar tekstet. Pra, ata sipas meje kanë shpresuar edhe në një krizë të re në greva, e që po besoj që Kosova mos me u marr më me arrestimet e me korrupsionin që ka mbërri të Kurti e që kuptohet nën udhëheqjen e tij, por me u marr me tema tjera”, shtoi Haradinaj më tej.