Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në zbulimin e shtatores së heroit, Faruk Elezaj, në qytetin e Klinës.
Me këtë rast, me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka ngritur lart luftën e popullit për liri, duke thënë se sakrifica e tyre është udhërrëfyesi më i mirë për popullin e Kosovës.
“Vatrat e Grabanicës, Dollovës, Kpuzit dhe Bokshiqit, ishin në front të luftës kundër armikut. 25 vjet më parë trimat e UÇK-së nga këto anë, zhvilluan betejë të lavdishme, e cila zgjati për tri ditë me radhë.
Sot, me krenari kujtuam dhe nderuam të rënët, që ranë heroikisht në këtë betejë. Në atë ditë, u përjetësua njëri ndër luftëtarët e parë të UÇK-së, Myrtë Zeneli, emrin e të cilit me krenari në fitore të njëpasnjëshme nëpër beteja do ta mbante Brigada 132 e ZO të Dukagjinit, si dhe bashkëluftëtarët Faruk Elezaj, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlija dhe Isuf Morina. “, është shprehur Haradinaj.
“Në po të njëjtën ditë, u përjetësua Arben Haliti, emrin e të cilit e mbajti Brigada 112 e ZO të Drenicës.
Bashkë me miq e bashkëluftëtarë morëm pjesë në zbulimin e shtatorës së heroit, Faruk Elezaj, ku sot u përjetësua në bronz në qytetin e Klinës, me ç’rast theksuam kontributin e tij për lirinë e Kosovës.
Përulemi para sakrificës së të rënëve për liri. Sakrifica e tyre është udhërrëfyesi më i mirë për ne, në angazhimet tona për shtetin siç e ëndërruan ata.
Lavdi e përjetshme!”, ka shtuar tutje./FolDrejt/