Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, duke ia numëruar disa nga gabimet që sipas tij, i ka bërë.
Sipas tij, Kurti i ka kapur bordet e institucioneve dhe ndërmarrjeve, derisa në energji sipas Haradinajt, e ka penguar dhe ka refuzuar investimet dhe ka rritur çmimin.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ia ka parashtruar pyetjen Kurtit se “si do ta ndihmojë Kosovën?”.
“Në energji pengove e refuzove investimet dhe rrite çmimin. Familjarët e anëtarëve të kabinetit tuaj, ministrave e deputetëve, nuk janë më për dasma, por për punësime e ngritje detyre në institucione. Me militantët tu, në shpejtësi të paparë, kape bordet e institucioneve dhe ndërmarrjeve
– Në mesin e shumë premtimeve të tjera që i shkele sapo erdhe në pushtet, është edhe mbështetja për bujqit, të cilëve nuk ua lirove naftën e as nuk i subvencionove, por as nuk ule numrin e “xhipave qeveritarë”.
“Përkundrazi, deputetët tuaj, po dalin të jenë kampionët e harxhimeve buxhetore. Rreth 100 mijë qytetarëve që kanë kërkuar vizë pune vetëm në njërën nga ambasadat, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, sqaroju se si do e ndreqësh gjendjen në këtë vend?”, tha Haradinaj.