Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka pritur në takim emisarin amerikan, Gabriel Escobar, ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë.
Siç ka njoftuar Haradinaj, në këtë takim, diskutuan zhvillimet politike në Kosovë, me theks të veçantë nevojën për arritjen e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Falënderova z. Escobar për angazhimin e tij dhe të administratës amerikane tash e shumë dekada dhe inkurajova për thellim të marrëdhënieve dhe që mbështetja ndaj Kosovës të shtohet.
Arritjet e Kosovës, nga vitet e 90-ta, lufta çlirimtare dhe shtetndërtimi kanë ndodhur në partneritet të përbashkët. Edhe Marrëveshja Finale duhet të jetë fitore e përbashkët.”, ka shkruar Haradinaj në facebook.
Do të punojmë ngushtë me ShBA-të që partneriteti për paqe dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO të arrihet me urgjencë pasi që është jetike për paqe të qëndrueshme në rajon”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/