Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka thënë se do të ishte shumë gabim nëse qeveria e ardhshme mendon ta heq taksën pasi sipas tij “atë nuk mund ta heq Qeveria e Kosovës por vetëm Serbia me njohjen e shtetit tonë”, transmeton KlanKosova.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një konference për media me kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.
Ky i fundit foli për zhvillimet pozitive që i ka sjell për ekonominë e vendit, vendosja e taksës.
Sipas tij, efekti i taksës ka qenë shumë i madh dhe ka rritur qarkullimin e brendshëm mbi 100 milionë dhe punësimin rreth 5 mijë të rinj.
Nga ana e tij, Haradinaj mes tjerash tha se viti 2019 nuk ka qenë vit i lehtë për ekonominë e vendit, duke kujtuar disa ngjarje që e kanë shënuar këtë vit.
“Mendoj se është e arritur e madhe fakti se ka arritur të implementohet Ligji për “Trepçën”, sepse duke u implementuar ky ligj për “Trepçën”, jep disa efekte: E para krijon situatë të pastër të statusit ligjor të resurseve në vendin tonë, të gjitha resurseve, pra me këtë përmbyllet kapitulli se të kujt janë resurset ose pasuritë natyrore të vendit tonë dhe kësisoj Trepça është e gatshme për të operuar dhe për të bërë biznes”.
“Po ashtu, është e arritur ekonomike afatgjate për Kosovën që do të ketë efekte të mira pavarësimi energjetik i Kosovës i cili do ta ndihmoj vendin, për shkak se tani jemi kthyer në pronar të vetvetes, hapësirës dhe tregut tonë energjetik, dhe tani mund të kthehemi në palë kontraktuese si ndodhi me Shqipërinë, unifikimi i tregut apo marrëdhëniet kontraktuale që kanë filluar”, tha Haradinaj dhe shtoi se është bërë edhe lirimi për lëndën e parë për prodhim dhe për makineritë, ndërsa vlerësoi se duhet zgjidhur edhe çështja akcizës në naftë për bujqit.
Më tej, kryeministri në detyrë tha se është e vërtetë se është rritur eksporti i Shqipërisë për 30 për qind në Kosovë, ka mbërri në 70 milionë, duke u shprehur i bindur se sikur të kishte pas një qasje më të hapur të ndërsjellë kjo gjendje do të ishte dukshëm më e mirë.
“Është gabim i madh vendosja e taksës në Rrugën e Kombit, dhe e çmimit për skaner për një transportues 42 euro, dhe kjo ka rezultuar me 13 milionë euro taksë për shkëmbimet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, tha ai.