Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka treguar se çka ka biseduar dje me dy këshilltarët kryesorë të kancelares gjermane Angela Merkel.
Haradinaj tregoi se e pozicioni i Berlinit është i qartë: “Dialogu është i rëndësishëm duhet të vazhdojë, taksa është pengesë; hiqeni taksën”, tregoi Haradinaj qëndrimin e gjermanëve.
Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj u tha gazetarëve se nëse Serbia po qet kushte për mos me ardhë në dialog, Kosova nuk mundet ta kërcënojë Serbinë që te vijë në dialog.
Sipas Haradinajt, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të bëjë presion te Serbia, por i bën presion viktimës (Kosovës).
Ai u përgjigj edhe për takimin e së shtunës në rezidencën e ambasadorit amerikan Philip Kosnet.
Haradinaj tha se ardhja e David Hale është nder i jashtëzakonshëm, ndërsa shtoi se udhëheqësit e institucioneve pavarësisht dallimeve kanë unitet sa i përket platformës.
Në mbledhjen e Qeverisë sot është miratuar drafti i platformës vjetore të politikës së inteligjencës dhe sigurisë. Gjithashtu është aprovuar propozim vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për komunën e Mitrovicës nga nën-programi shpenzimet e paparashikuara.