Shkruar nga Harold Bloom:
Mënyra se si lexojmë sot, varet pjesërisht nga distanca, qoftë kjo e brendshme – që arrijmë të krijojmë nga universitetet, ku të lexuarit rrallë mësohet si kënaqësi në sensin më të thellë të estetikës së kënaqësisë. Sigurisht që mendjeçeltësia dhe kuraja kundrejt Shekspirit në krijimin e tij më të fortë, “Mbreti Lir” nuk është aspak “punë e lehtë”, sepse nuk arrin të përftosh ndonjë kënaqësi të atypëratyshme, të shkurtër si flakë kashte, qoftë në të ri, qoftë edhe në pleqëri. Sidoqoftë, të mos e lexosh siç duhet “Mbretin Lir” (domethënë pa asnjë paragjykim ideologjik), do të thotë të mashtrosh veten edhe instinktivisht, edhe estetikisht. Ardhja nga një fëmijëri ku shumica dërrmuese e kohës kalon duke parë televizor dhe mbrujtja në një adoleshencë të kompjuterizuar sjell në derë të universitetit një student që s’ka asnjë gjasë të mirëpresë idenë se në vend që të katapultohemi teknologjikisht, duhet të rezistojmë e të mbajmë ndezur emocionet me durim e përkushtim gjersa të mbërrijmë shpërblimin e fundmë: pjekurinë e shpirtit. Mohimi i një ideje të tillë e sjell zhbërjen e leximit dhe bjerrjen e vetvetes bashkë me të. E kaluara (me metodat mësimdhënëse, që në fakt janë për të qarë hallin), nuk mund të ribëhet me përbetime a programe mësimi. Gjithë ç’mbetet për t’u bërë mund të sendërtohet prej ndonjë kaste elitare, porse ideja e një kaste për arsye të mira dhe të këqija, sot është e papranueshme. Ka ende lexues vetmitarë, të rinj dhe të vjetër, kudo, madje edhe në universitete. Nëse kritikës ende i ka mbetur ndonjë funksion në kohërat e sotme, ky funksion është t’i drejtohet këtij lexuesi, që lexon për veten dhe jo për interesat që më gjasë e shndërrojnë vetveten.
(Marrë nga libri “Si dhe përse të lexojmë” i Harold Bloom), sjell FolDrejt.