Shtetet e Bashkuara kanë “përcaktuar zyrtarisht” se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit në Ukrainë, ka thënë zëvendëspresidentja e ShBA-së, Kamala Harris, shkruan BBC, përcjell Fol Drejt.
Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Harris akuzoi Rusinë për “akte të tmerrshme të vrasjes, torturës, përdhunimit dhe dëbimit” që nga pushtimi i saj.
Ambasadori i Moskës në ShBA hodhi poshtë pretendimet dhe akuzoi zonjën Harris për përpjekje për të “demonizuar Rusinë”.
Udhëheqësit botërorë në konferencë bënë thirrje për mbështetje afatgjatë të Ukrainës.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak tha se tani ishte koha për të “dyfishuar” mbështetjen ushtarake.
Kryeministri argumentoi se aleatët perëndimorë duhet të fillojnë të planifikojnë për sigurinë e ardhshme të Ukrainës, si dhe të dërgojnë armët që i nevojiten për të mbrojtur veten tani.
Konferenca në Gjermani vjen pasi afrohet njëvjetori i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.
Zonja Harris u tha delegatëve se autorët e krimeve të dyshuara ruse në Ukrainë duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Veprimet e tyre janë një sulm ndaj vlerave tona të përbashkëta dhe njerëzimit,” tha ajo.
OKB-ja i përkufizon krimet kundër njerëzimit si një “sulm i përhapur ose sistematik” ndaj një popullsie të caktuar civile.
Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë shënjestruar civilët gjatë pushtimit të saj.
Anatoli Antonov, ambasadori i Rusisë në ShBA, tha se pretendimet e zëvendëspresidentit ishin një përpjekje cinike për të “demonizuar Rusinë në rrjedhën e një lufte hibride”.
Ato ishin një mënyrë për të “justifikuar veprimet e vetë Uashingtonit për të nxitur krizën ukrainase”, shtoi ai, duke iu referuar furnizimit të armëve nga ShBA në Kiev.
Por Harris, një ish-prokurore, ishte e bindur se “në rastin e veprimeve të Rusisë në Ukrainë ne kemi shqyrtuar provat, ne i dimë standardet ligjore dhe nuk ka dyshim: këto janë krime kundër njerëzimit”.
Ajo përmendi mizoritë “barbare dhe çnjerëzore” të kryera gjatë luftës në Ukrainë, duke përfshirë shumë trupa të gjetur në Bucha menjëherë pas pushtimit dhe bombardimit të një teatri në Mariupol.
“Le të biem dakord të gjithë: në emër të të gjitha viktimave, të njohura dhe të panjohura, drejtësia duhet të vendoset,” tha Harris. /FolDrejt/