Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shënim të ditës kombëtare të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë ka thënë se familjarët e të zhdukurve presin çdo ditë lajmin për të vërtetën e familjarëve të tyre, shkruan Fol Drejt.
“Familjarët e të zhdukurve presin çdo ditë lajmin për të vërtetën e familjarëve të tyre, shumë nga të cilët u masakruan dhe pastaj i dëbuan trupat e tyre në vende ende të panjohura, dhe shumë të tjerë u morën të gjallë për të mos i kthyer kurrë më. Nesrete Kumnova dhe të gjitha nënat tjera të të zhdukurve, për 24 vite nuk ndalen së kërkuari përgjigje dhe përgjegjësi për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre.”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Haxhiu theksoi se Kosova nuk mund të jetë e qetë plotësisht përderisa ende mohohen krimet nga fqinjët agresorë dhe të cilët nuk duan që t’i përgjigjen një kërkese kaq të drejtë e humane për të sjellë të vërtetën për të gjithë personat trupat e të cilëve nuk dihet se ku ndodhen.
Ajo shtoi se institucionet e vendit nuk do të ndalen deri në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit dhe nuk do ta ndalin angazhimin për vendosjen e drejtësisë së plotë për ta dhe familjarët e tyre. /FolDrejt/