Albulena Haxhiu, ministrja e Drejtësisë me një pjesë të anëtarëve të Komisionit për Legjislacion ndodhen për vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Aty do të takohen me disa prej ish krerëve të UÇK-së, por jo edhe me Hashim Thaçin dhe me Kadri Veselin.
Avokati Tomë Gashi në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që nuk është në rregull që mos ta pranojnë për vizitë ministren e shtetit, pavarësisht dallimeve politike.
“Edhe pse nuk mund t’i dërgoj mesazh Kadri Veselit ose Hashim Thaçit, por mendoj që nuk është normale që mos ta pranojnë ministren e shtetit të vet pa marrë parasysh dallimet politike që i kanë. Lojërat politike duhet me i lon, sepse të gjithë jemi të barabartë”, tha ai.
Tutje Gashi ka përmendur edhe vizitën e kaluar në Hagë të zëvendësit të Haxhiut, Blerim Sallahut, i cili poashtu nuk është takuar me Thaçin e Veselin, me refuzimin e këtyre dyve të fundit.
“Herën e kaluar Thaçi e Veseli nuk pranuan ta takojnë Sallahun, por Blerimi s’ka shkuar privatisht aty as si shok as si i partisë, por për shkak të funksionit që e ka pasë. Duhet t’i ulin preferencat politike. Nuk e dimë saktësisht për çka do të flitet, por e dimë konotacionin e asaj që lejohet me ligj të flitet dhe kjo është vizita e dytë e zyrtarëve ose udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë”.
“Në shtator, e kemi pasë vizitën e njëjtë të zëvendësit të Haxhiut, ka qenë Blerim Sallahu dhe kjo vizitë besoj që është konsideruar pozitive. Por, besoj që dikush nëse do të konsiderojë që nuk është në rregull po i bie që me shku me i vizitu po del që keq – po ma keq po del mos me shku mi vizitu, pasi thonë që Qeveria e Kosovës s’po ka kurrfarë interesimi dhe përkujdesje për ta”, tha ai.