Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë qëndrimit të saj në Strasburg të Francës, në Këshillin e Evropës është takuar me shumë zyrtarë të këtij institucioni evropian, ku ndër të tjera ka adresuar rëndësinë e reformave që ka nisur Ministria e Drejtësisë dhe rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit me konventat ndërkombëtare, raporton Fol Drejt.
“Në ditën e parë të vizitës zyrtare, në 4 takime të ndara, u takuam me znj. Claudia Luciani, udhëheqëse për Dinjitet Njerëzor, Barazi Gjinore dhe Qeverisje, z. Robert Olla, drejtuesen e Sekretariatit GREVIO, znj. Carolina Lasen – Diaz si dhe drejtuesin e Drejtorisë së Përgjithshme për të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit, z. Christophe Poirel.”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Ajo theksoi se në këto takime ka adresuar rëndësinë e reformave që ka nisur Ministria e Drejtësisë, rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit me konventat, adresimin e dhunës në familje dhe me bazë gjinore, shërbimet sociale, reformat në drejtësi me qëllim të ndikimit në sundim të ligjit dhe çështje të tjera që ndërlidhen me barazinë gjinore dhe ndikimin e të rinjve në politikbërje.
“Shumë e lumtur që nga përfaqësues të KE vlerësohen pozitivisht hapat që ka ndërmarrë
në këto çështje.

KE do të jetë partnerë serioz i yni dhe në këto takime sërish u rikonfirmua përkrahja dhe bashkëpunimi tutje me Republikën e Kosovës.”, shtoi në fund Haxhiu. /FolDrejt/