Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar masakrën e Pastasellës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës, shkruan Fol Drejt.
“24 vite më parë në Pastaselë të Rahovecit dhe fshatrave përreth u vranë dhe u masakruan nga forcat ushtarake të Serbisë 106 civilë të paarmatosur përfshirë fëmijë, gra dhe pleq. Masakra në Pastaselë është një ndër masakrat më të mëdha të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, disa prej viktimave të së cilës ende nuk dihet për fatin e tyre.”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Haxhiu theksoi se po të njëjtën ditë, me 31 mars 1999, në vendin e njohur si Vrella e Mëhillit në Burim të Malishevës, forcat serbe vranë dhe masakruan 42 civilë të tjerë.
“Për viktimat e masakrave në Pastaselë dhe Burim ende nuk ka drejtësi. Kriminelët vazhdojnë të jenë të lirë, ndërsa Serbia vazhdon të mohoj krimet e kryera në Kosovë si pjesë e politikave për spastrimit etnik të shqiptarëve.”, shtoi ministrja Haxhiu.
Në fund ajo premtoi se si institucione do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe se do të angazhohen në fuqizimin e institucioneve për ndjekjen e kryerësve të krimeve më të rënda që përjetoi populli ynë. /FolDrejt/