Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti i ka njoftuar “në vija të trasha” mbi propozimin e ndërkombëtarëve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Haxhiu tha në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë se në Kosovë “nuk do të ketë autonomi.
“Nuk ka asnjë autonomi. Nuk do të ketë autonomi në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që të ketë një shtet tjetër brenda shtetit tonë”, tha ajo.
Ministrja nuk deshi të flasë në hollësi për draft-statutin e Asociacionit, pasi tha se “nëse unë do të hyja në detaje të tjera, mendoj se nuk është përgjegjësi e imja”.
“Kur të bëhet publik do ta shihni edhe ju”, iu tha ajo gazetarëve.
Haxhiu tha se Kurti “është partner serioz” dhe se ka konsideratë për kërkesat e ndërmjetësve të dialogut. Ministrja tha se sa për Kurtin “teksti mund të jetë publik që prej dje”, por shtoi se “kjo nuk mund të ndodh dhe për këtë arsyet i ka përmendur kryeministri”.
“Kryeministri Kurti është partner serioz që i trajton me respekt, por edhe me konsideratë kërkesat e ndërmjetësve. Ai e ka ekipin e tij për dialog, me të cilin ndan dokumente të cilat kanë nevojë të vlerësohen dhe të komentohen. Konsultohet me presidenten e Republikës së Kosovës, po ashtu me kryetarin e Kuvendit, që janë krerë të institucioneve. Kur ka nevojë për vlerësimet e mia si ministre e Drejtësisë, unë jam gjithmonë në dispozicion”, tha Haxhiu.