Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se Serbia në mënyrë indirekte e ka pranuar pavarësinë e Kosovës pas arritjes së marrëveshjes për dokumentet për hyrje/dalje.
Tutje, ai tha se nëse kryeministri i vendit, Albin Kurti, do të mbahet mend për këtë marrëveshje, ai do mbahet mend edhe për hapjen e Kosovës ndaj Serbisë.
“Tash Serbia ka bërë përgatitje dhe ka nxjerr tabela informuese për gjoja këtë lloj marrëveshje por në mënyrë indirekte është njohje e pavarësisë së Kosovës”.
“Është një lloj njohje indirekte, por nëse Kurti do të mbahet mend për këtë marrëveshje, ai do të mbahet mend për hapje të Kosovës ndaj Serbisë, të gjithë të tjerët e kanë hapur Kosovën me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, ndërsa i vetmi që e ka formalizuar hapjen totale ndaj Serbisë është Kurti”, është shprehur Haziri në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se ftesa e kryeministrit Kurti për partitë opozitare rreth informimit për takimin e Brukselit ishte e vonshme.
Ai tha se një ftesë e tillë do të duhej të vinte përpara shkuarjes në Bruksel, në mënyrë që të diskutohej qasja apo edhe ndonjë strategji eventuale në mënyrë që të ketë koordinim, por sipas tij, një gjë e tillë s’ka ndodhur.
“Procesi si i tillë është shumë i rëndësishëm, po krijohet një momentum i ri, po krijohet një rrethanë e re e dialogut që po con drejt një normalizimi dhe qeveria s’është e vetëmjaftueshme, përkundër që ka mandat të kuvendit, ajo duhet t’i raportojë kuvendit dhe kjo është ajo që ne kemi potencuar dje”.
“Edhe ftesa për takim por edhe raportimi në kuvend është pak i vonshëm, sidoqoftë se kryeministri ka premtuar se do të raportojë në kuvend për detajet e takimeve”, është shprehur Haziri në “Info Magazine” në Klan Kosova.