Një burrë hodhi bomba me benzinë në një qendër të emigrantëve të Forcave Kufitare në Dover të dielën, shkruan The Telegraph, përcjell Fol Drejt.
Sulmuesi udhëtoi për në objektin Tug Haven me një automjet Seat të bardhë, përpara se të dilte dhe të hidhte tre bomba me benzinë, tha një fotograf në vendngjarje. Dëshmitari shtoi se bombave iu ishin ngjitur fishekzjarre, njëra prej të cilave nuk shpërtheu.
Policia e Kentit u thirr në The Viaduct në orën 11:22 dhe u raportua një lëndim i lehtë. I dyshuari është identifikuar dhe gjetur. Policia nuk ishte në gjendje të konfirmonte raportet se i dyshuari kishte vdekur dhe tha se hetimet ishin në vazhdim. Pasdite vendi i ngjarjes ishte rrethuar dhe ekipet mjeko-ligjore po punonin në zonë.
Natalie Elphicke, deputetja konservatore për Dover, tha se ishte “thellësisht e tronditur” nga incidenti. “Unë e kuptoj që qendra e imigracionit në Dover, që është në Portin e Doverit, u bombardua me një numër pajisjesh, përpara se një individ të bënte vetëvrasje,” tha ajo për LBC. Ajo tha se motivi i autorit nuk dihet deri më tani, por qendra është “një objekt i njohur” ku mbërrijnë varkat e vogla përpara se njerëzit të dërgohen në qendrën e azilit Manston në Kent. “Është një situatë absolutisht e tmerrshme që kemi tani në Dover,” shtoi ajo. “Unë e kuptoj që të gjithë njerëzit që janë në qendër po kujdesen dhe po merren masa paraprake për sigurinë e tyre.” Zonja Elphicke tha gjithashtu: “Unë mendoj se është e drejtë të thuhet se tensionet kanë qenë të larta gjatë periudhës së fundit.”
Robert Jenrick, ministri i imigracionit, shkroi në Twitter: “Unë jam duke u përditësuar me informata rregullisht nga policia. “Ngushëllimet e mia janë me ata që janë përfshirë dhe falënderimet dhe admirimi im janë me oficerët e Policisë dhe Forcave Kufitare të Kent-it ndërsa ata bëjnë punën e tyre thelbësore për të na mbajtur të sigurtë.”
Zonja Elphicke tha se Jenrick do të vizitojë Doverin dhe qendrën e migrantëve Manston për të “marrë në dorë situatën”. Një zëdhënës i Home Office tha: “Ne jemi në dijeni të një incidenti në Western Jet Foil, Dover dhe policia është e pranishme. Nuk do të ishte e përshtatshme të komentohej më tej në këtë fazë.” /FolDrejt/