Bashkimi Evropian ka reaguar për rastin e mbrëmshëm që ka ndodhur në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e veriut, ku në një shtëpi është hedhur granatë dore.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se BE-ja po e vëzhgon me shumë vëmendje dhe shqetësim situatën në veri të Kosovës, shkruan RTK, përcjell Fol Drejt.
“Jemi të shqetësuar për vazhdimin e situatës ku nuk ka një de-përshkallëzim të tensioneve”, ka thënë Stano.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se ky sulm me granatë dore vjen si shenjë revolte ndaj arrestimit të tre personave për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë dhe si mesazh ndaj drejtësisë e me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët e asaj pjese.
Hidhet granatë dore në një shtëpi në Mitrovicë, dëmtohet automjeti
Në një shtëpi në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë është hedhur granatë dore të enjten mbrëma.
Si pasojë e hedhjes së granatës është dëmtuar një automjet.
Banorët e kësaj ane i kanë thënë RTK-së se shpërthimi është dëgjuar rreth orës 23:00.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke reaguar ndaj këtij veprimi tha se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund, ndërsa hedhja e granatës ushtarake nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë.