Katër fëmijët që po dyshohet se janë helmuar në një institucion parashkollor në Istog janë duke vazhduar trajtimin në Spitalin e Pejës.
Teksa fëmijët ishin në klasë papritmas kanë humbur vetëdijen, e menjëherë janë dërguar urgjent në Spitalin e Pejës, ku edhe po vazhdojnë trajtimin.
Besnik Ibraj, doktor në Spitalin e Pejës tha për Telegrafin se fëmijët janë pranuar në spital ditën e enjte.
“Katër fëmijë janë sjellë ditën e enjte, ne kemi ndërmarrë të gjitha masat, gjendja e tyre për momentin është e mirë. Ata kanë pasur shenja si humbje e vetëdijes, të vjellura, temperaturë. Ne kemi lajmëruar Policinë e Kosovës dhe Komunën e Istogut lidhur me rastin, për hetime të mëtejme”, tha ai.
Telegrafi më herët raportoi për fëmijët që dyshohet se janë helmuar.
Lidhur me rastin nuk ka pasur ende reagime nga Komuna e Istogut. /Telegrafi/