Një grua ka vdekur dhe 12 persona janë shtruar në spital pas një shpërthimi të botulizmit pasi hëngrën sardele të servirura në një restorant në Bordeaux, Franca jugperëndimore.
Botulizmi është një sëmundje serioze neurologjike që zakonisht shkaktohet nga ngrënia e ushqimit që nuk është ruajtur siç duhet. Vetë restoranti në Bordeaux i ruajti sardelet për analiza, njoftoi administrata shëndetësore e DGS, shkruan The Guardian, përcjell Fol Drejt.
Shtetësia e 32-vjeçares që ka ndërruar jetë ende nuk është përcaktuar, tha një burim i afërt me rastin. Mjeku i spitalit të Bordo, Benjamin Clouzeau tha se 12 persona të tjerë ishin ende duke u trajtuar të mërkurën në mëngjes. Pesë prej tyre ishin në mbështetje të frymëmarrjes. Grupi përfshinte shtetas amerikanë, irlandezë dhe kanadezë. Një shtetas gjerman ka udhëtuar në shtëpi për trajtim, ashtu si një banor i Barcelonës, tha mjeku.
Të gjithë hëngrën në barin e verës Chin-chin midis 4 dhe 10 shtatorit, kur qyteti, i njohur për verën dhe ushqimin e tij, zakonisht ishte plot me turistë. Të gjithë hëngrën sardelet që pronari i restorantit i mbante në kavanoza, njoftoi DGS.
Botulizmi është fatal në 5-10 për qind të rasteve për shkak të toksinës së prodhuar nga bakteri Clostridium botulinum, i cili mund të shfaqet kur ushqimi i konservuar nuk është sterilizuar mjaftueshëm.
Autoritetet kryen analiza në restorant, tha DGS, duke shtuar se nuk mund të përjashtohet shfaqja e rasteve të reja të botulizmit, i cili ka një periudhë inkubacioni deri në disa ditë. Mund të shkaktojë paralizë të muskujve që zgjat për disa javë./FolDrejt/