Ndonëse tre ditë më parë ai u ndalua për dy ndeshje nga drejtimi i skuadrës për shkak të sjelljes së keqe dhe përjashtimit nga loja në humbjen 1:2 kundër Cremonese, Jose Mourinho do të lejohet të drejtojë skuadrën e Romës kundër Juventusit të dielën në ndeshje e xhiros së 25-të të kampionatit italian të futbollit.
Dënimi i Mourinhos u anulua përkohësisht pasi Komisioni i Apelit i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) vendosi të hetojë më tej situatën rreth përjashtimit të Mourinhos në Kremona dhe një vendim përfundimtar për rastin do të merret të premten e ardhshme.
Gjyqtari kryesor i ndeshjes Cremonese – Roma, Marco Piccinini largoi Mourinhon nga pankina e Romës në fillim të pjesës së dytë.
“Trajneri i Romës ka reaguar ashpër dhe provokues ndaj vendimeve të arbitrit në pjesën e dytë dhe këtë sjellje e ka përsëritur edhe në momentin e shkarkimit. Gjithashtu, pas përfundimit të ndeshjes është futur në dhomën e zhveshjes së arbitrit, të cilën nuk ka të drejtë ta bëjë, dhe i dërgoi fyerje të rënda arbitrit të katërt”, thuhet në vendimin e dënimit. Megjithatë, Roma kërkoi një hetim shtesë, duke u ankuar se Mourinho ishte provokuar nga arbitri i katërt i ndeshjes. /FolDrejt/