Në të kaluarën por, edhe sot, edhe pse mund të haset në njerëz që nuk kanë pranuar ndonjë fe, nuk mund të haset edhe në shoqëri jofetare. Ky realitet na tregon se feja për njeriun dhe shoqërinë është një nevojë natyrore. Ajo ka ekzistuar bashkë me njeriun dhe do të vazhdojë të ekzistojë bashkë me të edhe në të ardhmen. Për pasojë, njëra prej fushave shkencore që merret me studimin e këtyre feve, që janë pjesë e pandashme e njeriut, dhe me studimin e përmbajtjes së tyre, është historia e feve. Kjo shkencë dallon prej apologjetikës islame dhe prej filozofisë së fesë, të cilat kanë për obligim mbrojtjen e një feje të caktuar, por nga ana tjetër atyre ua mundëson arritjen deri te materialet e nevojshme. Kjo shkencë, duke i përdorur metodat historike dhe filologjike, hulumton fetë dhe besimet e shoqërive të vogla apo të mëdha, në shtete dhe popuj të ndryshëm.
Disa shkencëtarë gjatë këtyre hulumtimeve janë munduar që fetë t’i klasifikojnë dhe t’i grupëzojnë. Shkencëtarë të caktuar perëndimorë fetë i ndajnë në “fe që kanë themelues” dhe “fe tradicionale”, kurse disa të tjerë në “fe kombëtare – nacionale” dhe “fe universale”. Sa u takon dijetarëve të botës islame, fetë i ndajnë në dy grupe dhe atë: në “fe të vërteta” dhe “fe jo të vërteta”, apo në “fe që bazohen në shpallje” dhe “fe botërore-natyrore”. Në këtë klasifikim “fe të vërteta”quhen fetë të cilat kanë për bazë besimin në një Zot të Vetëm dhe që janë të bazuara në vlera etike, si në moral dhe në vyrtyt, kurse “fe jo të vërteta” konsiderohen ato fe që nuk i zotërojnë këto cilësi.
Përpjekjet për klasifikimin e feve, edhe pse përbëjnë studime shkencore me vlerë, deri më tash nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje e cila në vete do t’i ngërthejë të gjithe fetë. Disa fe kanë mbetur jashtë, ndërsa disa të tjera nuk i janë përshtatur klasifikimit. Si pasojë, dijetarët nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për kalsifikimin e tyre. Krahas kësaj, fetë mund të shpjegohen në bazë të rajoneve gjeografike dhe duke patur parasysh rrjedhën historike të tyre.
Shkëputur nga libri “Historia e Feve: Prej fillimit deri sot” të autorit Ekrem Sarëkçëogllu