Një çift italian ka rënë në dashuri me njëri-tjetrin gjatë izolimit në qytetin e Veronës.
Ishte një dashuri me shikim të parë nga ballkonet e pallateve mes Michele D’Alpaos, 38 vjeç dhe Paola Agnelli, 39 vjeç. Gjithçka ndodhi kur ata dolën për të dëgjuar muzikë në orën 18:00, një zakon i përditshëm tashmë në Itali.
Muzika live ofrohej nga motra e zonjushës Agnelli, një violiniste profesioniste që jeton me të. Ajo që kishte zgjedhur të luante atë ditë ‘We Are the Champions’ nga grupi Queen, teksa fqinjët duartrokisnin.
“Dola në ballkon të shikoja motrën teksa luante me violinë dhe pashë Michele në ballkonin përballë nesh. E kuptova se ishte vëllai i një mikeshës sime dhe thashë ‘çfarë burri i bukur’”, thotë Paola.
“Kur mbaroi muzika, mora një mesazh në Instagram. Ishte nga Michele. Ai shkruante: Mund të shkruaj një libër të titulluar ‘Dashuri në kohët e koronavirusit’”.
“Atë natë i shkruajtëm njëri-tjetrit deri në orët e para të mëngjesit. E kuptuam se ndanim të njëjtat vlera dhe se ato do ishin baza solide për një marrëdhënie”.
Për t’i treguar dashurinë e tij, Michele D’Alpaos ngriti një flamur të madh në katin e sipërm të ndërtesës ku kishte shkruar ‘Paola’ mbi të dhe fqinjë kishin dalë të gjithë në ballkone për të qenë dëshmitarë të dashurisë së tyre.
Paola tha: “Ai organizoi një surprizë të madhe për mua duke shkruar emrin tim në një çarçaf dhe duke e varur në ballkon –më tërhoqi shumë ky gjest. Michele di si ta përkëdhelë shpirtin tim me fjalët e tij të ëmbla”.
Dhe një fqinj i katit të tretë, i cili është edhe DJ, ka pranuar t’i kushtojë një këngë çdo ditë çiftit.
Çifti, të cilët janë të dy të pamartuar, kanë jetuar përballë njëri-tjetrit për pjesën më të madhe të jetës së tyre, por asnjëherë nuk janë takuar.
Ata kanë vendosur mos të takohen derisa karantinimi të përfundojë.