Kampionati Botëror është ngjarja më e madhe në sportin e futbollit në botë që zhvillohet çdo katër vite në vende të ndryshme të globit. Historia e Kampionateve Botërore daton nga viti 1930. Këtë vit, në nëntor e dhjetor 2022, luhet kampionati i 22-të me radhë.
Kampionati Botëror që do të zhvillohet në Katar gjatë nëntorit e dhjetorit do të jetë hera e parë që mbahet gjatë stinës vjeshtore. Të gjitha kampionatet e mëparshme janë luajtur në sezonet pranverë-verë gjatë muajve maj, qershor dhe korrik. Për shkak të nxehtësisë në shtetin e Katarit gjatë verës, kësaj radhe turneu mbahet në vjeshtë. Kampionati fillon më 20 nëntor në takimin hapës mes vendit mikpritës Katarit që përballet me Ekuadorin në “Al Bayt Stadium” në Al Khor. Ndërsa, finalja luhet më 18 dhjetor në stadiumin “Lusail Iconic Stadium” në Lusail në Ditën Kombëtare të Katarit.
Organizimet dhe triumfet
Më 28 maj 1928, FIFA (Federata Ndërkombëtare e Futbollit) në kongresin e saj mori vendim për organizimin e Kampionatit Botëror. Kupa e parë botërore është luajtur në vitin 1930 në Uruguaj. Dy takimet e para janë zhvilluar më 13 korrik 1930. Të vetmet raste kur nuk është zhvilluar Kampionati Botëror janë vitet 1942 dhe 1946 për shkak të Luftës së Dytë Botërore.
Katari do të bëhet shteti i 18-të i radhës që e organizon ngjarjen më të madhe sportive. Kjo do të jetë hera e parë që botërori zbarkon në botën arabe dhe hera e dytë që organizohet në kontinentin aziatik pas mikpritjes nga Korea Jugore dhe Japonia në vitin 2002. Organizatorët e mëparshëm të botëroreve kanë qenë Italia, Franca, Brazili, Meksika dhe Gjermania nga dy herë, derisa nga një herë e kanë mirëpritur: Uruguaji, Zvicrra, Suedia, Kili, Anglia, Argjentina, Spanja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Korea Jugore e Japonia së bashku, Afrika e Jugut dhe Rusia.
Brazili, Italia dhe Gjermania mbeten kombëtaret më trofeshme në historinë e Kampionateve Botërore. Brazili është pesë herë kampion bote, ndërsa Italia dhe Gjermania kanë nga katër trofe në kabinetet e tyre. Uruguaji, Argjentina dhe Franca kanë triumfuar nga dy herë në Kampionate Botërore, kurse nga një titull e kanë fituar: Anglia dhe Spanja. Vështruar nga niveli kontinental, Kampionatin Botëror e kanë fituar vetëm shtetet nga Amerika e Jugut dhe Europa. Shtetet nga Europa i kanë fituar 12 tituj të botëroreve, ndërsa shtetet nga Amerika Jugore kanë triumfuar nëntë herë.
Statistika nga Kampionatet Botërore
Shumë nga statistikat e para të regjistruara në historikun e botërorit kanë dëshmi Meksikën. Golin e parë në histori të Kampionateve Botërore e ka shënuar Lucien Laurent i Francës më 13 korrik 1930 kundër Meksikës. Penalltia e parë është regjistruar më 19 korrik 1930 për Meksikën, të cilën në gol e kishte shndërruar Manuel Rosas. Hetrikun e parë e ka realizuar Guillermo Stabile i Argjentinës kundër Meksikës më 19 korrik 1930 në fitoren e Argjentinës përballë Meksikës me rezultat 6-3.
Autogoli i parë është regjistruar më 18 qershor 1954 në takimin ndërmjet Francës e Meksikës nga Raul Cardenas i Meksikës. Takimi i parë që ka shkuar në vazhdime figuron më 27 maj 1934 mes Francës e Austrisë në 1/8-ën e finales, takim të cilin e kishte fituar Austria me rezultat 3-2. Takimi i parë i regjistruar në penallti është zhvilluar më 8 qershor 1982 në takimin ndërmjet Gjermanisë Perëndimore dhe Francës. Pas një barazimi me rezultat 3-3, ishin gjermanët që pas penalltive morën triumfin me rezultat 5-4.
Gola më së shumti brenda një loje janë shënuar në përballjen Austri-Zvicërr më 25 qershor 1952 në Qerekfinale. Në atë takim janë realizuar 12 gola e sfida i takoi Austrisë me rezultat 7-5 kundër Zvicrrës. Numri më i madh i tifozëve brenda një dueli në botërore rezulton nga stadiumi “Marakana” në Brazil më 16 korrik 1950. Në takimin mes Uruguajit dhe Brazilit të pranishëm ishin 199 mijë e 854 shikues. Përballjen e kishte fituar Uruguaj me rezultat 2-1 kundër Brazilit, fitore e cila uruguajanët i kishte shpallur kampion bote.
Historia e finaleve
Nga 21 finale të luajtura në Kampionate Botërore, Gjermania ka më shumti pjesëmarrje, gjithsej tetë herë finaliste. Brazili ka qenë 7 herë finalist, Italia gjashtë herë dhe Argjentina pesë herë finaliste. Tri herë në finale ka qenë Holanda. Nga dy herë kanë qenë Uruguaj, Çekosllovakia, Hungaria dhe Franca, ndërsa nga një herë kanë marrë pjesë: Suedia, Anglia, Spanja dhe Kroacia.
Në 21 finale të zhvilluara në historinë e Kupës Botërore janë shënuar 77 gola, ndërsa 14 gola janë konkretizuar në dy takime të cilat e kanë përcaktuar fituesin në penallti. Gola më së shumti brenda një finale janë shënuar në botërorin e vitit 1950 ndërmjet Brazilit dhe Suedisë. Në atë finale janë realizuar 7 gola me fitues Brazilin 5-2 kundër Suedisë. E vetmja finale që ka përfunduar pa gola daton nga viti 1994 mes Brazilit e Italisë, derisa pas penalltive Brazili e kishte marrë fitoren kundër Italisë me shifrat 3-2.
Golashënuesit më të mirë në histori të finaleve janë Vava e Pele të Brazilit me nga tri gola dhe Geoff Hurst i Anglisë gjithashtu me tri gola. Vava dhe Pele nga dy gola i kanë realizuar në botërorin e vitit 1958. Vava një gol tjetër e kishte realizuar në botërorin e vitit 1962, kurse Pele golin e tretë të tij në histori të finaleve e kishte bërë në finalen e botërorit 1970. Nga ana tjetër, Geoff Hurts i Anglisë tri gola i kishte bërë në finalen e Kampionatit Botëror më 1966.
Golashënuesit më të mirë
Golashënuesit që kryesojnë listën në histori të kampionateve janë Miroslav Klose e Gerd Muller të Gjermanisë, Justo Fontanine i Francës dhe Pele e Ronaldo të Brazilit. Mirosllav Klose kryeson listën me 16 gola në 24 takime. I dyti është Ronaldo me 15 gola në 19 takime. I treti është Gerd Muller me 14 gola në 13 takime. I katërti renditet Justo Fontaine me 13 gola në 6 takime dhe i pesti radhitet Pele me 12 gola në 14 takime.
Golashënues më së shumti në histori të Kampionateve Botërore i ka dhuruar Brazili. Gjithsej tre top golashënues që e kanë fituar këpucën e artë janë nga Brazili. Ndërsa me nga dy top golashënues janë Argjentina, Hungaria, Gjermania, Italia dhe Anglia. Me nga një realizator bëjnë pjesë: Çekosllovakia e atëhershme, Franca, Portugalia, Polonia, Rusia, Kroacia, Uruguaji dhe Kolumbia.
Në të gjitha kampionatet e zhvilluara janë shënuar 45 hetrika (tre golësha), ndërsa nga katër gola brenda një takimi i kanë realizuar Ernst Wilimovski i Polonisë më 1938, Ademir i Brazilit më 1950, Sandor Kocsis i Hungarisë më 1954, Justo Fontaine i Francës më 1958, Eusebio i Portugalisë më 1966, Butragueno i Spanjës më 1986. I vetmi lojtar që i ka shënuar pesë gola brenda një takimi është Oleg Salenko i Rusisë në botërorin e vitit 1994.
Të vetmet takime ku dy futbollistë kanë shënuar nga tre ose katër gola brenda një ballafaqimi direkt ndërmjet dy kombëtaresh janë përballjet mes Brazilit dhe Polonisë më 1938 dhe mes Austrisë e Zvicrrës më 1954. Më 5 qershor 1938 Brazili fitoi me rezultat 6-5 kundër Polonisë pas vazhdimeve. Leonidas kishte realizuar tre gola për brazilianët, ndërsa Ernst Wilimowski ishte realizator i katër golave për polakët. Më 25 qershor 1954 në triumfin e Austrisë me rezultat 7-5 kundër Zvicrrës, Theodor Wagner ishte realizator i tre golave për Austrinë, kurse Josef Hugi ishte golashënues i trefishtë për Zvicrrën.
Statistika takimesh e golash
Në 21 turne të Kupës së Botës janë zhvilluar 899 takime dhe loja mes Katarit dhe Ekuadorit do të jetë takimi i 900-të jubilar. Në historikun e Kupës Botërore janë realizuar 2549 gola, derisa në takimet ku fituesit janë përcaktuar pas penalltive, janë realizuar 183 penallti.
Gola më së shumti brenda një turneu janë realizuar më 1998. Nga 64 lojëra të luajtura në botërorin e vitit 1998 në Francë, janë shënuar 172 gola. Nga 899 takime të zhvilluara në kampionatet botërore, 62 lojëra kanë shkuar në vazhdime, ku 29 prej tyre e kanë përcaktuar fituesin pas goditjes së penalltive, ndërsa 33 takime e kanë përcaktuar fituesin në vazhdime.
Nga 21 triumfues në 21 Kampionate Botërore, gjashtë herë fituesi ka ardhë nga radhët e grupit C, pesë herë nga grupi A, tri herë nga grupi D, dy herë nga grupi B dhe nga një herë nga grupet E, G dhe H. Vetëm grupi F asnjëherë nuk ka dhënë fitues në historinë e Kupës Botërore. Kujtojmë që dy Kampionate Botërore, ai i vitit 1934 dhe 1938 janë zhvilluar me kualifikime direkt./FolDrejt/