Qeveria e Holandës planifikon të ndërtojë dy termocentrale të reja bërthamore deri në vitin 2035 në fshatin Borssele në pjesën jugperëndimore të vendit.
Sipas një lajmi të televizionit RTL, qeveria synon të vërë në funksion deri në vitin 2035 edhe dy termocentrale të reja bërthamore për të plotësuar nevojat në rritje për energji dhe për të përmbushur objektivat e reduktimit të emetimeve të dioksidit të karbonit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në lajm thuhet se nëse centralet bërthamore hyjnë në funksion, ato mund të prodhojnë deri në 1.650 megavatë energji elektrike në vit, që do të plotësojë 11 deri në 15 për qind të nevojave të vendit për energji elektrike.
Fillimisht është ndarë një buxhet prej 5 miliardë eurosh për termocentralet e planifikuara të ndërtohen në fshatin Borssele në jugperëndim të vendit dhe ende nuk është bërë e ditur kostoja totale.
Termocentralet, të cilat planifikohen të ndërtohen ndërmjet viteve 2025 dhe 2028, synohen të jenë funksionale në vitin 2035.
– Centralet bërthamore në Holandë
Termocentrali i parë bërthamor në vend ishte termocentrali bërthamor Dodewaard, i cili filloi punën në vitin 1969 dhe u mbyll më 1997, ndërsa i vetmi termocentral bërthamor aktiv u ndërtua në fshatin Borssele në 1973.
Termocentrali me një kapacitet vjetor prej 482 megavatësh pritet të mbyllet në dhjetor 2033./FolDrejt/