Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas ngjarjes tragjike në qytetin e Pejës, ku vërshimet e mbrëmshme në këtë komunë u morën jetën një fëmije 5-vjeçar dhe nënës së tij.
Hoti ka thënë se kjo ngjarje ka tronditur të gjithë, teksa ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave dhe u ka uruar shërim dy të lënduarve.
Njëkohësisht, Hoti ka kërkuar nga organet kompetente që të organizohen dhe t’u dalin në ndihmë qytetarëve që janë prekur nga vërshimet.
“Ngjarja tragjike që ka ndodhur në Pejë na ka tronditur të gjithëve. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe shërim sa më të shpejt të lënduarve.
Ftoj organet kompetente të organizohen sa më parë që tu dalin në ndihmë qytetarëve që janë të prekur nga vërshimet dhe të bëjnë vlerësimet e duhura për kompenzimin e dëmeve.
Falënderim i veçantë për organet lokale të komunës së Pejës, FSK-në, njësitë e kërkim shpëtimit dhe të gjithë qytetarët për angazhimin dhe përkushtimin për tu dal në ndihmë të prekurve nga vërshimet.”, është shprehur Hoti./FolDrejt/