Deputeti nga LDK, Avdullah Hoti, ka reaguar pas konfirmimit se BE ka nisur aplikimin e sanksioneve ndaj Kosovës.
Hoti, përmes një postimi në profilin zyrtar në Facebook, ka kërkuar që një seancë të jashtëzakonshme, duke thënë gjithashtu se vendi nuk duhet të udhëhiqet nga një kryeministër dhe një presidente që i sjellin vendit sanksione.
“Më 28 qershor 2023, BE e paska njoftuar Qeverinë e Kosovës për sanksionet e vendosura: suspendimi i MSA-së, suspendimi i projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimi i fondeve të IPA, pezullimi i takimeve të larta dy palëshe dhe masa të tjera.
Qeveria e Kosovës nuk e ka njoftuar as Kuvendin e Kosovës dhe as qytetarët për këtë situatë të re.
Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe për tu dakorduar për kursin e veprimeve. “, është shprehur Hoti.
“Ku është Presidentja e vendit? Pse nuk po e ushtron funksionin e saj? Ky binom po e çojnë Kosovën në një rrugë tjetër, jo në atë të perëndimit.
Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të udhëhiqet nga një Kryeministër dhe Presidente, të cilët i sjellin vendit sanksione në vend të integrimit euro-atlantik.”, ka shtuar Hoti më tej./FolDrejt/