Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverinë për mënyrën e menaxhimit të parasë publike, duke e konsideruar si menaxhim ‘katastrofal’.
Ai, me anë të një postimi në facebook, duke marrë për bazë Agjencinë e Statistikave, Hoti ka thënë se çmimet e prodhimit për biznese janë rritur me 17.2%.
“Rritjen më të madhe e ka pasur energjia elektrike dhe gazi me 49.7%, duke i rritur kështu çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm.
Sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza përkohësisht, siç kemi propozuar në pranverë, sot çmimet prodhimit për biznese do të ishte më e ulëta. Rrjedhimisht, çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm do të ishin më të ulëta dhe jeta e familjeve do të ishte më të lehtë”, është shprehur Hoti.
“Sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza, sot nuk do të kishim 700 mil euro në llogari të Qeverisë, të cilat po i zhvlerëson inflacioni. Rreth 300 mil euro do të ishin në buxhetin e familjeve dhe bizneseve dhe do të qarkullonin në ekonomi.
As nuk i shpenzojnë mjetet për projekte kapitale dhe për rritje të pagave, e as nuk iu lënë qytetarëve që t’i shpenzojnë. I mbledhin pa nevojë, i mbajnë në llogari dhe zhvlerësohen nga inflacioni. Çfarë menaxhimi katastrofal i parasë publike!”, ka shtuar ai./FolDrejt/