Deputeti nga radhët e Lidhje Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit duke thënë se kjo është dita kur përkujtohet nevoja për vetëdijësim kundër gjenocidit, si dhe atyre që mohojnë Holokaustin.
Me anë të një postimi në Facebook, Hoti ka përkujtuar 6000000 viktima hebrenje të Holokaustit.
“Në këtë ditë, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përkujtohet përvjetori i çlirimit të kampit famëkeq të Aushvic-Birkenau në Poloni dhe nderohen 6,000,000 viktima hebreje të Holokaustit dhe miliona viktima të tjera të nazizmit. Kjo ditë duhet të trokasë në ndërgjegjen njerëzore. Kjo është dita që na përkujton për nevojën që kemi për vetëdijesim kundër gjenocidit, si dhe kundër atyre që mohojnë Holokaustin. “KURRË MË” është motoja e përbashkët e gjithë njerëzimit për të parandaluar ngjarje të tilla.
Më nëntor të vitit kaluar, në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael në Kuvendin e Kosovës, isha pjesë e delegacionit të lartë në vizitë në kampin Aushvic-Birkenau në Poloni për të vizituar dhomat e gazit dhe vendet ku janë maltretuar në mënyrat më çnjerëzore dhe janë ekzekutuar burra e gra, fëmijë e të moshuar.”, ka shkruar Hoti në postim.
Tutje, Hoti ka vlerësuar kontributin e popullit shqiptar për ndihmën që u ka ofruar hebrenjve duke i shpëtuar gjatë luftës rreth 3000 hebrenj.
“Populli shqiptar duhet të ndihet krenar me historinë e vetë në mbrojtje të hebrenjve. Dokumentet tregojnë se numri i hebrenjve në Shqipëri në fund të Luftës së Dytë Botërore ka qenë më i madh se në fillim të luftës. Janë rreth 3000 hebrenj që janë shpëtuar gjatë luftës. Ky gjest ka qenë një veprim i natyrshëm i popullit shqiptar. Në këtë histori të jashtëzakonshme të shpëtimit të hebrenjve në trojet shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore del në pah dimensioni human i koncepti të “Besës” tek shqiptarët, si dhe i thënies se “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Sot, shqiptarët kanë marrëdhënie të shkëlqyer me popullin izraelit. Sot, Republika e Kosovës ka marrëdhënie të shkëlqyera me Shtetin e Izraelit, i cili e njohur Kosovën si shtet të pavarur. Çdo ditë po thellohet bashkëpunimi mes dy vendeve në frymën e miqësisë dhe respektit historik mes popullit shqiptar dhe popullit hebre.”, ka shtuar Hoti tutje./FolDrejt/