Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në facebook, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar dy projektligjet që do të diskutohen të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Ai i ka cilësuar këto dy projektligje si goditje të rëndë për ekonominë e tregut dhe konkurrencën e lirë në Kosovë, transmeton Fol Drejt.
“Projektligji i parë cakton marzhat tregtare për produktet themelore ushqimore (drithëra, miell, bukë, oriz, pasta, vaj ushqimor, kripë, vezë, sheqer etj.). Po ashtu, cakton çmimin maksimal, si dhe i detyron tregtarët të mbajnë rezerva në depo dhe masa tjera që mund t’i teken Qeverisë.
Një qasje e tillë e kufizimit të konkurrencës mund të vlejë vetëm kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme.” – ka thënë Hoti.
“Projektligji i dytë merret me kontratat për investimet publike. Sado që çështja është e arsyeshme, pasi investimet publike kanë ngecur, projektligji krijon kaos në kontratat publike. Në projektligj nuk ka qartësi si definohet inflacioni në çmimet e materialeve në kontrata. Nuk dihet sa duhet të jetë inflacioni në mënyrë që të kompensohet operatori.” – ka shtuar ai./FolDrejt/