Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë në krye me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, duke thënë se dorëheqja është shpëtim për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit.
Sipas Hotit, shpenzimet për çështje ekonomike gjatë vitit 2022 kanë rënë dukshëm krahasuar me vitin 2019.
“Performancën e dobët në ekonomi të kësaj qeverie e dëshmojnë këto të dhëna.
Shpenzimet për çështje ekonomike gjatë vitit 2022 kanë rënë dukshëm krahasuar me vitin 2019, që është viti para pandemisë. Kjo e fakton argumentin se ekonomisë së Kosovës i mungojnë rreth 500 milionë euro investime kapitale, të cilat kanë prodhuar efekte multiplikuese negative në të ardhura dhe rritje ekonomike. Kjo është arsyeja që rritja ekonomike, matur në periudha tremujore, ka qenë me trend rënës nga tremujori i dytë i vitit 2021, që është koha kur kjo qeveri ka nisur punën.
Dorëheqja është shpëtim për stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit.”, është shprehur Hoti në një postim në profilin e tij zyrtar në Facebook./FolDrejt/