Deputeti nga radhët e LDK-së dhe njëherit edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, me rastin e festës së 1 Majit, ka kritikuar qeverinë aktuale të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Me anë të një postimi në Facebook, Hoti ka radhitur katër vërejtje që kanë në thelb inflacionin, ligjin e pagave, ligjin për pagën minimale dhe dyfishimin e tatimit në pronë e shtrejtimin e energjisë.
“Katër vërejtje për ditën e 1 majit:
- Pagat nuk u rritën në vitin me inflacionin më të lartë në 15 vitet e fundit, përkundrazi. Bazuar në raportin e buxhetit për 2022, shpenzimet totale për paga të 85 mijë punëtorëve të sektorit publik (që janë 1/4 e punëtorëve në nivel vendi) pësuan rënie me 3% krahasuar me vitin paraprak.
- Ligji i pagave në sektorin publik më shumë krijoi probleme se që zgjidhi. Ky ligj krijoi pasiguri pasi uli ndjeshëm pagat në veçanti në institucionet e pavarura dhe për profesionet e rralla në treg (ekspertët e teknologjisë së informacionit, inxhinierët e ndryshëm etj.). Për shkak që është shtyer miratimi i tij pa asnjë arsye, ishte vonë për tu buxhetuar në mënyrë të rregullt në buxhetin e vitit 2023. Për shkak të mungesës së konsultimeve me sindikatat, shumë të punësuar mbetën të pakënaqur dhe ligji përfundoi në Gjykatë Kushtetuese.
- Ligji për pagën minimale, që do të ndikonte në rritjen e pagave të ulëta në sektorin privat, u miratua në lexim të parë në Kuvend para një viti. Nga atëherë është harruar plotësisht, edhe pse ky ligj përbënte ‘reformën’ kryesore të mazhorancës së majtë në pushtet.
- Në anën tjetër, pa asnjë konsideratë për gjendjen ekonomike, (i) u dyfishua tatimi në pronë për shumë qytetarë dhe biznese, si dhe (ii) dy herë u shtrenjtua energjia elektrike. Pavarësisht se me subvencione po ndihmohen familjet që kursejnë energji, si dhe janë ndihmuar bizneset gjatë vitit 2022, në fund të fundit efekti makroekonomik është i njëjtë pasi po përdoren tatimet e qytetarëve për këto subvencione. Këto tatime do të mund të shkonin për të mira të tjera publike shumë më të nevojshme, siç është arsimi dhe shëndetësia.”, ka shkruar Hoti në postimin e tij./FolDrejt/