Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherit edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar në lidhje me çështjen e koeficientit të pagave në lidhje me atë se sa do të duhej të ishte vlera e këtij koeficienti, marrë parasysh edhe inflacionin ekonomik.
Sipas Hotit, “për shkak të rritjes enorme të çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm, vlera reale apo fuqia blerëse e pagave u zvogëlua dukshëm gjatë vitit 2022. Qeveria nuk i përshtati pagat për normën e inflacionit, e as nuk e rriti pagën minimale.”
Hoti ka përmendur gjithashtu moscaktimin e vlerës së koeficientit nga qeveria, duke thënë se rrjedhimisht, askush nuk e di se sa do ta ketë pagën në muajin shkurt.
Ndërkaq, në lidhje me vlerën që duhet ta ketë koeficienti, Hoti ka vlerësuar se rritja reale sigurohet nëse vlera e koeficientit është më e lartë se 125 euro. Çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime.
Postimi i plotë i Hotit:
“SA DUHET TË JETË VLERA E KOEFICIENTIT TË PAGAVE?
- PASOJAT E INFLACIONIT: Për shkak të rritjes enorme të çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm, vlera reale apo fuqia blerëse e pagave u zvogëlua dukshëm gjatë vitit 2022. Qeveria nuk i përshtati pagat për normën e inflacionit, e as nuk e rriti pagën minimale. Rrjedhimisht, për pjesën më të madhe të familjeve (që kanë të ardhura vetëm nga paga) standardi i jetës ra për shkak të reduktimit të konsumit.
- PASIGURIA ME LIGJIN E PAGAVE: Edhe pse ligji i pagave është shpallur në Gazetën Zyrtare më 5 janar 2023, Qeveria ende nuk e ka caktuar vlerën e koeficientit. Rrjedhimisht, askush nuk e di sa do ta ketë pagën në muajin shkurt. Kjo ka krijuar pasiguri tek të punësuarit, pasi shumë prej tyre kanë kredi apo obligime të rregullta mujore. Mos caktimi i vlerës së koeficientit përbënë shkelje të të drejtave të punëtorëve.
- SA DUHET TË JETË VLERA E KOEFICIENTIT PËR TË RUAJTUR PAGAT E NJËJTA NË FUQI BLERËSE? Bazuar në një llogaritje të thjeshtë: një vlerë e koeficientit prej 125 euro i ruan pagat e njëjta në fuqi blerëse, siç kanë qenë në dhjetor 2021 përpara rritjes së çmimeve. Pra, kjo vlerë e koeficientit nuk paraqet rritje reale të pagave. Rritje reale sigurohet nëse vlera e koeficientit është më e lartë se 125 euro. Çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime.
- SA DUHET TË JETË VLERA E KOEFICIENTIT PËR NJË RRITJE TË ARSYESHME TË PAGAVE? Pagat në sektorin publik nuk janë rritur që nga viti 2016, kur u zbatua rritja prej 2% deri në 20% për shkak të viteve të përvojës së punës. Për shkak të ndryshimeve strukturore në ekonomi dhe në nevojat për konsum të familjeve, si dhe inflacionit inercial për periudhën 2016-2021, është e natyrshme që pagat reale duhet të rriten së paku me 10%. Kjo rritje është modeste, pasi përbën rritje prej 2% në vit. Kështu që, për të siguruar rritje reale të pagave prej 10%, si dhe për të kompensuar zhvlerësimin për shkak të inflacionit siç u diskutua më lartë, vlera e koeficientit të pagave duhet të jetë 137.5 euro. [e njëjta përshtatje duhet të ndodhë edhe për skemat pensionale dhe të ndihmës sociale].
Secili i punësuar në sektorin publik mund të bëjë vetë llogaritje për tu bindur:
(i) krahasoni sasinë e mallrave që e keni blerë me pagën tuaj në dhjetor 2021 me sasinë e mallrave që e keni blerë në dhjetor 2022 (krahasoni faturat javore të ushqimeve, transportit dhe barnave që i konsumoni në familje brenda një jave, apo çmimet e mallrave dhe shërbimeve bazike);
(ii) sa duhet të jetë rritja në pagë në mënyrë që sot të blini të njëjtën sasi mallrash sikurse në dhjetor 2021?;
(iii) sa duhet të jetë vlera e koeficientit që të keni pagë me të cilën mund të blini të njëjtën sasi mallrash sikurse në dhjetor 2021?”./FolDrejt/