Zëvendëskryeministri i parë, Avdullah Hoti, ka thënë se në Programin Qeverisës për mandatin 2020-2023 që është miratuar sot, reflekton plotësisht marrëveshja e koalicionit.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Hoti tha se programi do të dorëzohet në Kuvendin e Kosovës për informim të deputetëve.
“Sot, në mbledhjet e pestë të Qeverisë, kemi miratuar Programin Qeverisës për mandatin 2020-2023.Në këtë program është reflektuar plotësisht marrëveshja e koalicionit, si dhe janë vendosur objektiva të tjera që prekin jetën e të gjitha komuniteteve në Kosovës. Tash, bazuar në Programin Qeverisës, secila ministri do të përgatisë planet e punës së tyre ku do të listohen masat konkrete që do të ndërmerren nga secila ministri, së bashku me buxhetin përkatës, për të realizuar objektivat e parapara”, ka deklaruar Hoti.
“Në ditët në vijim do të jemi në komunikim të hapur me shoqëri civile, medie, biznese dhe grupe të tjera për të prezantuar këtë program. Programi do të dorëzohet në Kuvendin e Kosovës për informim të deputetëve”, ka shkruar Hoti.
Ndërkaq, në plan-programin qeverisës, që është publikuar në media, janë vënë qëndrimet, që nga Vetingu, e deri te qasja ndaj dialogut me Serbinë.
Po ashtu, në programin 45-faqesh, ekzekutivi ka theksuar se qeverisja do të fokusohet në drejtësi; ekonomi dhe punësim; arsim; shëndetësi; siguri integrime euro-atlantike dhe mjedis.