Derisa është caktuar edhe data (18 dhjetor) për t’i mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore, pas incidenteve të djeshme të shkaktuara në këtë pjesë të Kosovës, ka reaguar edhe SHBA, përmes ambasadorit të tyre në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Hovenier, me anë të një postimi në twitter, në emër të SHBA-ve ka dënuar dhunën gjatë incidenteve të djeshme, duke konsideruar se rrezikimi i jetëve nuk është asnjëherë metodë e përshtatshme.
Tutje, Hovenier është shprehur se nuk ka kushte për momentin që zgjedhjet të mbahen në afatin kur është caktuar.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria dhe siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të ushtrojnë përmbajtje”, është shprehur Hovenier në twitter./FolDrejt/