Në takimin e nivelit të lartë për Mekanizmin e rasteve track-record (të shënjestruara), Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka theksuar se BE-ja është e interesuar për t’u siguruar se progresi për rastet e shënjestruara po vazhdon.
Në takim, morën pjesë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi.
“Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave dhe nuk kemi kushte shtesë”, potencoi Ministrja Hoxha, megjithatë, disa nga vendet anëtare që janë më hezituese, duan të shohin se puna dhe progresi për sundimin e ligjit po vazhdon.
Sipas saj, mekanizmi track-record, apo rastet e shënjestruara, nga vendet anëtare të BE-së po shihet si një ndër treguesit kyç të sundimit të ligjit, andaj, sipas Hoxhes, puna në këtë drejtim po vazhdon.
Ministrja po ashtu, theksoi se dinamizimi i agjendës integruese nuk do të ndalet, duke cekur se ditëve në vijim do të rifilloj lobimi, takimet me Ministrat e vendeve anëtare që të binden për votën e tyre në Këshillin e Ministrave.