Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë në debatin e “Asociacionit të Parlamenteve Evropiane” në Strasburg, ku mbajti fjalë rasti dhe ceku perspektivën e Kosovës brenda proceseve integruese evropiane.
Ministrja Hoxha shprehu bindjen se pjesa më e rëndësishme ku BE-ja duhet të përqendrojë politikën e saj të jashtme është procesi i zgjerimit.
“Përfshirja e më shumë vendeve në familjen evropiane do t’u mundësojë që këto vende të arrijnë jo vetëm reformat në ekonomi por edhe fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit. Politika e zgjerimit të BE-së duhet të shihet si një mekanizëm për ta bërë familjen e BE-së më të plotë dhe më të qëndrueshme”, theksoi Ministrja Hoxha dhe shtoi se pret që kjo të riafirmohet nga institucionet e BE-së, si dhe për të gjithë rajonin, një perspektivë dinamike, konkrete dhe e arritshme.
BE-ja ka rregullat e veta për pranimin dhe vendet e Ballkanit kanë ende punë për të bërë me reforma thelbësore që prekin sektorët më të rëndësishëm, ceku Ministrja Dhurata Hoxha, megjithatë BE duhet të jetë në gjendje të vlerësojë në mënyrë objektive arritjet dhe të japë vendim në përputhje me rrethanat dhe meritat.
“Anëtarësimi në BE i vendeve të Ballkanit do të kishte një ndikim pozitiv edhe në politikën kombëtare të vetë shteteve duke absorbuar praktikat më të mira dhe vlerat evropiane”, theksoi Ministrja Hoxha.
Gjatë presidencës austriake, Kosova pret që të mbyllet procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave, kur dihet se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara në udhërrëfyesin dhe kjo është konfirmuar nga Komisioni Evropian.
“Qytetarët tanë besojnë në vlerat evropiane, duke ndjekur rregullat dhe vlerat integruese. Gjatë presidencës austriake, presim mbështetje të pakursyer, veçanërisht për reformat e ndërmarra, të pasqyruara në strategjitë e përbashkëta tashmë të miratuara”, theksoi Ministrja Hoxha.