Opinionisti Ylli Hoxha ka thënë se Qeveria ka bërë tri lëshime serioze në trajtimin e grevës në arsim.
Ai thotë se Rrahman Jasharaj dhe SBASHK-u në grevë janë futur me një reputacioni shumë të ulët në grevë.
“Gabimi i parë i kësaj Qeverie ka qenë ndalesa e pagave që e proklamoi Hekuran Murati si një masë represive ndaj arsimtarëve. Kjo masë dha efekt të kundërt. I dha hapësirë shumë më të madhe organizatorëve të grevës dhe mbështetësve të Qeverisë ua hoqi të gjitha armët dhe u krijua klima e favorshme për SBASHK-un”, deklaroi Hoxha në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
“Refuzimi i kryeministrit për të takuar kreun e SBASHK-ut deri më sot ka qenë gabim elementar i panevojshëm duke i dhënë fuqi mbajtësve të grevës. Ideja se bëhen lëshime të mëdha pa dialog me grevistët poashtu ka qenë gabim taktik”, tha ai, përcjell Telegrafi.
“Rritja e pagesës për 50 euro në muaj për punëtorët e sektorit publik pa negocim paraprak me grevistët, ka qenë mendjelehtësi nga qeveria apo keq kalkulim. Këto çështje është dashur të negociohen edhe me njeriun që sot u takua (Jasharajn)”, ka deklaruar Hoxha.
Opinionisti thotë se me këto lëshime që ka bërë Qeveria deri më tani është dashur të përmbyllet greva.
“Ligji për Paga, inicimi i tij, është mjaft i favorshëm për mësimdhënësit, shto këtu edhe shtesën prej 50 euro”.
Hoxha thotë se edhe SBASHK-u që ka kërkuar dialog politik e social, i ka arrit qëllimet dhe tashmë ky dialog ekziston dhe sipas tij greva duhet të merr fund./RTVDukagjini/