Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se procesi i dialogut është në një qorrsokak dhe kjo është mjaft e rrezikshme për Kosovën, me që sipas tij, në kontekstin ndërkombëtar do të ishte urgjente arritja e një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas Hoxhajt, shtetndërtimi i Kosovës mund të përmbyllet vetëm përmes anëtarësimit në OKB, prandaj ai thotë se Qeveria e Kosovës do të duhej ta sjellë një platformë në Kuvend se çka mund të arrihet në dialog.
“Dialogu realisht ka hyrë në një qorrsokak sikurse e ka thënë edhe Josep Borrell. Dhe unë mendoj që kjo është e rrezikshme për Kosovën meqë në kontekstin ndërkombëtar në të cilin ne po jetojmë do të ishte urgjente arritja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë jo për interesa të Serbisë, por për interesin tonë për ta përmbyllur shtet ndërtimin e Kosovës”,ka thënë Hoxhaj.
“Shtetndërtimi i Kosovës mund të përmbyllet vetëm atëherë kur Kosova anëtarësohet në OKB dhe në situatën aktuale Qeveria e Kosovës do të duhej ta sjellë një platformë në Kuvend se çka mund të arrihet në dialog dhe dialogu duhet të jetë për njohje të ndërsjellë dhe jo për tema teknike sikurse po ndodh ditëve të fundit në Bruksel”.
Ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke thënë “Jam mëse i sigurt se sapo të përfundojnë zgjedhjet në Francë do të ndodh një vendim pozitiv. Por Qeveria do të duhej të lëviz në qendrat kryesore të Bashkimit Evropian qoftë në Berlin, qoftë në Paris qoftë në Vjenë por edhe në Bruksel që të bisedojë për atë që kur do të kishte mundësi që një vendim të merret prej Komisionit Evropian meqë Parlamenti Evropian ka vendosur shumë më herët pozitivisht për Kosovën”.
Sipas tij, Qeveria në krye me Albin Kurtin ka hequr dorë nga politika e jashtme.
“Njohja ndërkombëtare e Kosovës duhet të jetë prioritet. Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare duhet të jetë prioritet, vendosja e ambasadave duhet të jetë prioritet por qeveria ka hequr dorë nga politika e jashtme dhe ka hequr dorë për të lobuar për të rritur numrin e shteteve të cilat duhet ta njihnin Kosovën. Jam e sigurt që çdo qeveri e përgjegjshme do të mund t’ia siguronte Kosovës njohje të reja tani kur Serbia po izolohet ndërkombëtarisht”, tha ai./EO/