Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se tani ësthë momenti i fundit që Lidhja Demokratike e Kosovës të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se beson që brenda kësaj partie ka vullnet, dije dhe guxim për të vepruar në interes të vendit duke u bërë bashkë që të merren me Serbinë dhe jo me njëri-tjetrin.
“Asnjëherë nuk është vonë për LDK-në ta japë kontributin e saj për ta përmbyllur shtet-ndërtimin e Kosovës. Është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës, duke qenë në bisht të proceseve politike dhe historike. Dua të besoj se brenda kësaj partie ka vullnet, dije dhe guxim për të vepruar në interes të vendit duke u bërë bashkë që të merremi me Serbinë dhe jo me njëri-tjetrin. Por duket që problemi është diku tjetër – nuk ka një mendim të prerë dhe të vendosur për asgjë. E mbi të gjitha kjo parti herë synon të thirret në trashëgiminë e saj rugoviane e herë të sillet si ekstreme duke i ngjarë VV-së”, ka shkruar Hoxhaj.