Të premten e kaluar, saktësisht në hytben e ditës së xhuma, hoxhë Enis Rama, i cili përveç imam i Xhamisë Bajram Pasha Isa Beg në Mitrovicë, njëherit është edhe kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në qytetin verior të Kosovës, ka bërë thirrje për qytetarët që t’i bojkotojnë produktet serbe.
Ai thotë se një nga format e reagimit tonë është edhe bojkoti i produkteve të Serbisë.
“Shteti fqinj organizon agresion e dhunë kundër neve. Nga format e reagimit është t’i bojkotosh produktet e shtetit serb. Kjo është një formë e mirë, e duhur, kundër një shteti që krejt çfarë ka e përdorë kundër nesh. Nuk ndalet as natë e as ditë duke na e rënduar jetën, duke na e vështirësuar jetën”, ka thënë hoxhë Enis Rama ndër të tjera.
“Në këtë vend, edhe nëntoka, edhe mbitoka, tregon se sa i pamëshirshëm ka qenë ky agresor kundër nesh”, përfundon imami i xhamisë “Bajram Pasha Isa Beg” në Mitrovicë.