Janë bërë 10 vjet prej se Kosova është në dialog me Bashkimin Evropian për liberalizimin e vizave dhe qytetarët ende vazhdojnë të mos kenë të drejtën për të lëvizur lirshëm, edhe pse pohohet se tashmë vendi i ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave.
Pavarësisht kësaj, qytetarët mendojnë se Kosova duhet të vazhdojë dhe të mos i ndërpresë përpjekjet e saj sa i përket kësaj çështje.
Këtë e tregon edhe sondazhi i fundit i realizuar nga kompania e hulumtimit Pyper.
Një shumicë dërrmuese e qytetarëve të anketuar (95.54 për qind) beson po ashtu se qytetarët e Kosovës meritojnë të kenë liberalizim të vizave, ndërsa (4.46 për qind) nuk pajtohen me këtë.
Të pyetur se cila është arsyeja kryesore për mosliberalizimin të vizave, qytetarët u përgjigjën si në vijim:
– Niveli i lartë i korrupsionit (46.2 për qind)
– Mosrespektimi i ligjit (13.4 për qind)
– Nepotizmi (punësimi përmes lidhjeve familjare ose shoqërore) (5.5 për qind)
– Nuk e di/Nuk kam ndonjë opinion (14.6 për qind)
– Tjetër (20.3 për qind)
Mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ka ndikuar edhe në mendimet e tyre për Bashkimin Evropian (BE). 45.6 për qind e qytetarëve të anketuar u përgjigjën se kanë mendim pozitiv për BE-në, 40.4 për qind e qytetarëve u përgjigjën se kanë mendim negativ, ndërsa 14.01 për qind nuk kanë as mendim pozitiv dhe as mendim negativ.
Sondazhi në fjalë është realizuar përmes një mostre jo të rastësishme në të cilin kanë marrë pjesë rreth 1,200 persona anembanë Kosovës./FolDrejt/