Nisma individuale e mësueses të gjuhës rome – Urma Menekshe, rezultoi suksesshëm me funksionalizimin e bibliotekës së parë për komunitetin rom në pranverën e vitit 2021 në qytetin e Prizrenit. Me kalimin e kohës, biblioteka është shndërruar në një dritare të re që i ndihmon fëmijët, nxënësit e studentët e komunitetit rom në fushën e dijes, njohurive e veçmas në thellimin e njohjes me kulturën dhe historinë e këtij komuniteti.
Shkruan: Gëzim Olluri
Vullnetarizmi i Urma Menekshe me mbështetje edhe nga MKRS, e bëri të mundur hapjen e bibliotekës së parë në Kosovë për komunitetin rom më 1 prill të 2021-ës, në ditën e javës së komunitetit rom. Biblioteka që tashmë vepron në Prizren, në fondin e saj përmban rreth 450 libra nga 40 autorë vendorë e ndërkombëtarë.
“Për hapjen e bibliotekës kam aplikuar me projekt individual dhe për këtë jam mbështetur edhe nga MKRS. Së fundi, më ka ndihmuar edhe Komuna e Prizrenit për promovimin e mini-bibliotekës”, thotë Urma Menekshe për “FolDrejt”.
Biblioteka quhet “Romane Pustika” e disa nga botimet në ambientet e bibliotekës kanë ardhur edhe nga Shqipëria, Kroacia, Rumania dhe Maqedonia e Veriut. Kështu, raftet e bibliotekës janë pasuruar edhe më shumë me material të shumëllojshëm si: histori, poezi, dramë, romane, përralla, abetare rome, fjalorth rom, si dhe literaturë me theks kulturën, historinë dhe gjuhën rome.
Përmes leximit dhe njohjes me të kaluarën rome, Urma thekson që synohet të jepet kontribut në mënyrë që të luftohen diferencimet dhe paragjykimet ndaj komunitetit rom dhe ndaj çdo komuniteti tjetër.
“Qëllimi është të nxisim më shumë lexueshmërinë e librave dhe literaturës rome për arsye që duke treguar që ekziston një literaturë rome e duke i lexuar librat e historinë rome, të ulen paragjykimet dhe stereotipet që ende vazhdojnë ta godasin komunitetin rom”, shton Menekshe.
Boshti kryesor në bibliotekë është gjuha rome, ndërsa përkthimet e ardhuna nga vendet e tjera janë vepra me përkthime nga dialekte të tjera rome nga ato që fliten në Kosovë.
“Baza e librave në bibliotekën tonë është në gjuhën rome dhe në dialektin në të cilin kanë ardhur librat rome, duke u bazuar që në Kosovë më shumë përdoret dialekti arli dhe gurbet, mirëpo autorët ndërkombëtarë na kanë dhuruar edhe libra në dialekte të tjera rome. Profesori, Ibrahim Elshani, ka përkthyer disa vepra dhe romane të njohura në gjuhën rome. Mirëpo, librat e tjerë i kemi me përkthime varësisht nga cilat vende kanë ardhur, si për shembull nga shqipja, turkishtja, anglishtja, maqedonishtja, gjermanishtja, kroacishtja dhe serbishtja”.
Kultura dhe letërsia janë urëlidhje komunikuese mes komuniteteve dhe shoqërive drejt arritjes së barazisë, rrjedhimisht mësuesja prizrenase po ndërton ura të tilla. Deri tash ka arritur e krijuar bashkëpunim me disa biblioteka të qyteteve të tjera.
“Me disa projekte përveç që e kemi rritur numrin e titujve, kemi shpërndarë edhe shumë tituj në Bibliotekën Kombëtare, bibliotekën e Gjakovës, bibliotekën e Graçanicës, bibliotekën Prizrenit, si dhe bibliotekën e Universitetit të Prizrenit. E kemi hapur një kënd me librat rome edhe në Zyrën e Kryeministrit, ku edhe aty kemi dhënë librat rome. Andaj, synojmë që dita-ditës të rritemi edhe më shumë”.
Tutje shton se kanë marrë mbështetje edhe OJQ-të apo UNDP. Mirëpo, kjo nuk është e mjaftueshme për librat sepse duhet më shumë kosto dhe mbështetje financiare për arsye që kanë akoma material jashtë Kosovës që janë në pritje për të ardhur.
Objektivi i mësueses e bibliotekistes nga Prizreni është të rritet fondi librar dhe të krijohen më shumë hapësira për salla leximi e aktivitete kulturore, kurse për këtë kërkohet edhe mbështetja e institucioneve nga niveli lokal e ai qendror.
“Kërkesa ime për të ardhmen është rritja e fondit librar dhe zgjerimi i hapësirës. Kjo nismë për këtë bibliotekë është përkrahur dhe ka nxitur intersimin e anës mediale, por edhe të lexuesve nga komuniteti rom dhe jo rom. Mirëpo, kemi nevojë që në të ardhmën kjo bibliotekë të mos ndahet nga bibliotekat komunale dhe të mos punojmë vetëm me projekte afatshkurtra. Pra, të kemi një vend dhe seriozitet më të madh për bibliotekën rome e të trasformohet në hapësirë më të madhe dhe të mbështetet edhe nga institucionet”, shprehet Urma Menekshe.