Trupi i pajetë i major Klodian Tanushi, që ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni, mbërrin sot në atdhe datë 15 maj, ora 12.45, me avion ushtarak dhe do të pritet me ceremoni e nderime në pjesën ushtarake të aeroportit “Nënë Tereza”.
Homazhet për Dëshmorin e Atdheut major Klodian Tanushi dhe më pas ceremonia shtetërore, do të zhvillohen ditën e enjte, datë 16 maj, ora 10:00 – 12:00, tek Muzeu Historik Kombëtar.
Menjëherë pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, arkivoli me trupin e major Tanushit do të vendoset në shtrat topi dhe të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do t’i jepet lamtumira e fundit.
Ngushëllime në ambasadat shqiptare jashtë vendit:
Në nder të major Tanushit, në grup-batalionin e NATO-s në bazën Adazi, ku shërben kontingjenti shqiptar është zhvilluar një ceremoni. Ndërsa në ambasadat shqiptare në SHBA, Kanada, Kosovë, Rumani, Turqi, Bullgari, Itali, etj, është çelur libri i ngushëllimeve për të dy efektivët e Forcave të Armatosura shqiptare, të rënë në krye të detyrës, major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zarife, të cilët humbën jetën për shkak të një shpërthimi, javën e kaluar në Letoni.
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Mbrojtjes i Letonisë, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA, vizitoi Ambasadën e Shqipërisë në Uashington, ku la shënimin e tij në librin e ngushëllimeve për dy efektivët.
Në librin e ngushëllimeve në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, ndër të tjerë, kanë lënë shënimet e tyre edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha.
.