Anri Kashiku, 18-vjeçari që humbi jetën ndërsa përpiqej të shpëtonte të vëllanë dhe një shokun e tij që ishin marrë nga dallgët në Durrës, është shpallur “Dëshmor i Atdheut.”
Lajmin familjarëve ua dha kryeministri pasditen e së premtes ndërsa ata kishin hapur dyert e mortit.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka bërë të ditur se e ka firmosur sot vendimin e Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmori i Atdheut” për t’i dhënë statusin “Dëshmor i Atdheut” , Kashikut.
Peleshi ka publikuar edhe një foto të Certifikatës në llogarinë e tij në Facebook.
“Akti heroik i Anrit që sakrifikoi jetën e tij për të mbrojtur jetët e të tjerëve e përjetëson atë në memorien tonë si simbol i vetëmohimit.I shpreh ngushëllime familjes së heroit tonë për ndarjen e parakohshme nga jeta,” shkruan ndër të tjera në postim ministri.
Familjarët hapën sot dyert e mortit për 18-vjeçarin Anri Kashiku që dje u mbyt në det teksa po përpiqej që të nxirrte nga ujërat e Adriatikut vëllain e tij 15-vjeçar dhe një shokun e tij. Kashiku nuk mundi të dalë nga ujërat e detit pavarësisht se dy të tjerët i nxori në breg.
Ai u gjet disa metra në thellësi pak orë më pas, por tashmë ishte tepër vonë pasi kishte ndërruar jetë.
Si ndodhi?
Tre të rinjtë ishin nisur për të bërë plazh në Bisht Pallë gjatë paradites së djeshme, por deti filloi të trazohej në orën 12:00 duke pasur dallgë të mëdha dhe dy 15-vjeçarët kanë hasur vështirësi në ujë. Me t’i parë, Anri Kashiku është futur menjëherë në ujë për t’i shpëtuar.
I riu ka shkuar fillimisht me pedalone për të shpëtuar të miturit, por edhe mjeti filloi të mbytej. Në këtë moment Kashiku ka vendosur të mos e marrë mjetin, duke shkuar të shpëtojë vëllanë dhe shokun e tij me not. Ndërkohë, dallgët e kanë nxjerrë sërish pedalonen në breg.
Ishte i vëllai, ai që ka rrëfyer të gjithë ngjarjen. Në dëshminë e tij dhënë për policinë, të siguruar nga gazetari Leonidha Musaj, i mituri tregoi:
“Shkuam në det me komshiun qe e kam edhe shok dhe me vëllain tim më të madh. Atje kemi edhe shokë të tjereë që punojnë tek plazhi, kamarierë dhe te çadrat. Unë dhe shoku im u futëm për tu larë në det. Notin e dimë shumë mire se shkojmë shpesh në plazh dhe kryesisht aty në atë zonë. Ecëm pak thelle sepse aty ne breg ishte deti turbullt. Deti kishte shumë dallgë. Shkuam disa metra larg, por kur po ktheheshim dallgët nuk po na lejonin të dilnim, na tërhiqnim në thellësi. Aty po thërrisnim, ndihmë-ndihmë po s’po na dëgjonte njeri pasi kishte shume ere të fortë. Na pa shoku vëllait që punon te çadrat. Ne ishim në gjëndje të renduar pasi dallgët po na rrëmbenin dhe po pinim shumë ujë pasi na zhysnin. Erdhi Igli, roja me vëllain me shpejtësi dhe mbas tyre edhe një pedalone. Na ngjitën larte në barke dhe pastaj na nxorën në breg. Ne momentet qe hipëm në barkë, po përmbytej edhe barka dhe me vështirësi kemi dalë në breg nga çka mbaj mend. Ndërkohë vëllai nuk arriti të ngjitej në barkë. Me pas na dërguan në spital. Vone e morëm vesh se ishte mbytur vëllai. Te gjithë dinim shume mire not se jemi banorë të zonës dhe e kemi afër detin. Nuk e di si ka mundësi që vëllai s’ka mundur të dalë në breg. Ne shkojmë thuajse përditë në plazh aty se kemi shokë, Igli qe rri te kulla është shok i vëllait tim po njohim edhe çunat e tjerë që punojnë aty prandaj e frekuentojmë atë vend.” /abcnews.al/