Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka deklaruar se mbështesin përpjekjet e Turqise për paqe në luftën Rusi-Ukrainë dhe se “Turqia është i vetmi vend që ka qenë i suksesshëm në ndërmjetësim deri më tani”.
Szijjarto, i cili qëndron në Moskë në kuadër të forumit “Java Ruse e Energjisë”, për AA tha se Hungaria mbështet përpjekjet e Turqise në gjetjen e zgjidhjes mes luftës Rusi-Ukrainë.
“Ne mbështesim me gjithë zemër përpjekjet për paqe të presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe vëllait tim, ministrit të jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu. Nëse flasim realisht, Turqia është i vetmi vend që ka pasur sukses në ndërmjetësimin e deritanishëm”, tha Szijjarto për AA.
Szijjarto theksoi se marrëveshja e Istanbulit për eksportin e drithërave të Ukrainës është e vetmja marrëveshje e suksesshme në aspektin e ndërmjetësimit.
“Ne u takuam me zotin Çavuşoğlu disa javë më parë në New York, ku i kërkova që të vazhdojë përpjekjet e tij në ndërmjetësim, sepse jemi fqinjë të një rajoni ku ka luftë. Ne duam paqen. Paqja mund të vijë vetëm përmes negociatave. Prandaj, shpresojmë që Turqia të jetë edhe më e suksesshme në përpjekjet e saj ndërmjetësuese në të ardhmen”, tha Szijjarto.
Më tej, ai shprehu shpresë se bisedimet midis presidentit Erdogan dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, do të japin rezultate që do të çojnë në një qasje drejt paqes, duke shtuar se “Hungaria dëshiron paqen”./FolDrejt/