Një projekt kundërthënës për një universitet kinez ka rikthyer shqetësimet për rritjen e ndikimit të Pekinit në Hungari dhe ka risjellë në qendër të vëmendjes lidhjet e ngushta të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, me Kinën.
Muajin e kaluar, Hungaria ka nënshkruar një marrëveshje strategjike me Universitetin Fudan, për hapjen e një kampusi në Budapest, më 2024.
Marrëveshja do ta sjellë universitetin e parë kinez në Bashkimin Evropian, e për të cilin Qeveria hungareze thotë se do t’i rrisë standardet e arsimit në Hungari.
“Derisa Qeveria të sigurojë zbulimin e plotë të të gjitha detajeve të projektit, ne nuk kemi asgjë për të negociuar, që do të thotë se ne nuk do ta japim pëlqimin për ndërtimin e universitetit kinez”, tha për Radion Evropa e Lirë kryetari i Budapestit, Gergely Karacsony.
Sipas tij, kampusi i planifikuar vë një barrë të padrejtë financiare mbi taksapaguesit, ndërsa qeveria refuzon t’i zbulojë të gjitha “vendimet, kontratat e lidhura ose në përgatitje, si dhe marrëveshjet strategjike” për planet me Fudanin në Budapest.
Shteti planifikon të financojë rreth 20 për qind të projektit nga buxheti i tij qendror, ndërsa pjesa tjetër e parave do të sigurohet nga një hua prej 1.5 miliard dollarësh nga një bankë kineze.
Sipas dokumenteve, ndërtimi do të kryhet duke përdorur kryesisht materiale dhe punëtorë kinezë.
Universiteti Fudan, po sipas dokumenteve, ka rënë dakord që Korporata Inxhinierike e Ndërtimit e Kinës – kompania më e madhe e ndërtimit në botë – të konkurrojë për kontratën fitimprurëse.
Zona ku qeveria dëshiron të ndërtojë Universitetin Fudan është zgjedhur më herët për të ndërtuar një Qytet Studenti, që do të siguronte strehim dhe lehtësira të tjera për studentët hungarezë.
Karacsony tha se ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qytetit planifikojnë të organizojnë një referendum për të bllokuar ndërtimin e universitetit.
“[Marrëveshja e bashkëpunimit strategjik] i jep Kinës ndërtesa të mëdha falas. Ajo i shërben zgjerimit të kompanive kineze në Evropë”, tha Karacsony.
Me këtë politikë synohet kultivimi i lidhjeve të ngushta me Pekinin dhe Moskën, që do të krijonin investime dhe mundësi të reja për Hungarinë, pas krizës globale financiare.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka folur me Orbanin në telefon, më 29 prill. Xi e ka vlerësuar udhëheqësin nacionalist për politikat e tij miqësore ndaj Kinës dhe bashkëpunimin e thellë gjatë pandemisë së koronavirusit, si dhe e ka ftuar atë të vizitojë Pekinin.
“Hungaria është – dhe do të mbetet – pjesa kryesore për angazhimin kinez në Evropën Qendrore dhe kjo është bërë edhe më e vërtetë gjatë pandemisë”, tha për Radion Evropa e Lirë Paul Stronski, nga Instituti Carnegie Endowment për Paqen Ndërkombëtare.
“Për kinezët, Hungaria është porta hyrëse për në pjesën tjetër të Evropës”, tha ai.
Vendimi i Qeverisë së Orbanit për të ecur përpara me kampusin Fudan ka ngjallur shqetësime në Uashington. Ambasada e SHBA-së në Budapest ka shprehur rezerva për projektin.
“Hapja e mundshme e kampusit të parë të Universitetit Fudan në Evropë është arsye për shqetësim, pasi Pekini ka një histori të dëshmuar të shfrytëzimit të institucioneve të arsimit të lartë për të fituar ndikim dhe për të ngufatur lirinë intelektuale”, ka thënë Ambasada amerikane në një deklaratë për gazetën hungareze Magyar Hang.
Pas sanksioneve të dyanshme në mars midis Kinës dhe BE-së për abuzime të të drejtave të njeriut në rajonin kinez Ksinjiang, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, i ka cilësuar masat si “të pakuptimta” dhe “të dëmshme”.
Hungaria është po ashtu i vetmi vend anëtar i BE-së që nuk ka pranuar shqetësimet e mundshme për sigurinë, që paraqesin kompanitë kineze, si Huawei, për rrjetet mobile 5G.
Në Budapest ndodhet baza më e madhe e prodhimit e Huaweit jashtë Kinës dhe një qendër e re rajonale e kompanisë për kërkime dhe zhvillim.
Katalin Cseh, anëtare e Parlamentit Evropian nga Lëvizja Momentum e Hungarisë, i tha Radios Evropa e Lirë se ajo i ka kërkuar shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të parandalojë krijimin e kampusit në Budapest, për shkak të rreziqeve më të gjera që mund të paraqesë ai për bllokun.
“Është një rrezik i madh kur një vend i vendos interesat e Kinës mbi interesat e komunitetit evropian, ose mbi interesat e veta”, shtoi ajo.
Në vitin 2020, Hungaria ka marrë nga Kina një hua 20-vjeçare, në vlerë prej 1.9 miliard dollarësh, për të ndërtuar një hekurudhë, që do të lidhte Budapestin me Beogradin, por projekti mbetet i diskutueshëm, për shkak të vonesave dhe mungesës së transparencës.
Në prill të vitit 2020, Parlamenti i Hungarisë ka votuar për t’i dhënë qeverisë kompetenca të jashtëzakonshme, mbi premisën e luftimit të pandemisë, por institucioni ligjvënës po ashtu ka votuar për t’i mbajtur të gjitha detajet e projektit hekurudhor si të klasifikuara, duke thënë se një gjë e tillë është e domosdoshme për të siguruar kredinë nga Banka Export-Import e Kinës.
Hungaria është vendi i vetëm anëtar i BE-së që ka miratuar edhe vaksinën kineze kundër koronavirusit Sinovac dhe atë ruse Sputnik V, edhe pse këto dy vaksina nuk kanë marrë dritën jeshile nga Agjencia Evropiane e Barnave.
Ky veprim duket se i është shpaguar Orbanit, i cili po përpiqet të rrisë mbështetjen përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2022.
Deri më 2 maj, Hungaria ka vaksinuar plotësisht 21.5 për qind të popullsisë – gati dyfishin e mesatares së BE-së – dhe ka nisur t’i lehtësojë kufizimet nga koronavirusi.
“Mund të ketë një ndjenjë të kënaqësisë tani me Qeverinë hungareze”, tha Matura.
“Një kënaqësi që lidhjet me Pekinin janë shpaguar, kur atyre u është dashur ndihmë për të luftuar pandeminë…”, shtoi ai.
Marrëveshja strategjike me Universitetin Fudan ka përkuar gjithashtu me ndryshimet e fundit në menaxhimin e universiteteve hungareze, të cilat jo vetëm që transferojnë miliarda në asetet shtetërore të të afërmve me kryeministrin, por gjithashtu mund t’i lejojnë Orbanit dhe mbështetësve të tij të ushtrojnë kontroll afatgjatë mbi arsimin publik në vend.
Njoftimi për Fudanin është bërë edhe pasi Universiteti i Evropës Qendrore – i themeluar nga miliarderi George Soros dhe i konsideruar si një nga institucionet kryesore pasuniversitare të Hungarisë – është detyruar të mbyllet në vitin 2018, pas miratimit të amendamenteve të Ligjit për arsimin e lartë.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka thënë në tetor të vitit 2020 se veprimi kundër universitetit shkel angazhimet e Hungarisë nën Organizatën Botërore të Tregtisë dhe shkel dispozitat e Kartës së BE-së për të Drejtat Themelore, sa u përket lirive akademike.
Pavarësisht këtij vendimi, Universiteti i Evropës Qendrore mbetet i vendosur në Vjenë.
E gjithë kjo e lë Hungarinë në një kryqëzim derisa përgatitet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, tha Stronski.
Ndryshimet në politikat e brendshme dhe të jashtme të Hungarisë, gjatë dekadës së fundit, janë udhëhequr kryesisht nga Orban dhe nëse ai dhe partia e tij Fidesz humbin në vitin 2022, shumë prej këtyre ndryshimeve mund të përmbysen shpejt.